Të pajisur me maska dhe duke mbajtur distancën për mbrojtje ndaj virusit Covid-19, sot në disa shkolla të Prishtinës sot ka filluar mësimi.
Drejtoresha e shkollës “Faik Konica”, Jehona Oruqi ka thënë për KosovaPrress, se nën respektimin e masave kundër Covid-19, kjo shkolla sot ka filluar mësimin. Sipas saj, kjo shkollë ka respektuar masat si jashtë në oborrin e shkollës, me shenjëzimin e distancës që duhet mbajtur, po ashtu edhe brenda shkollës.
Ajo shtoi se si masë ndaj virusit Covid-19, Task Forca e shkollës ka dhënë urdhër që të mos lejohen as prindërit e fëmijëve, por as mediat që të futën në objektin e shkollës.
“Shkolla jonë ka marrë të gjitha masat e parapara nga ministria e arsimit, po ashtu edhe nga drejtoria komunale dhe protokollet të cilat i kemi tani në shkollë… Ne jemi pajisur edhe me maska, si nga drejtoria komunale, po ashtu edhe nga këshilli drejtues i shkollës, mirëpo nxënësit kanë ardhur me maskat e tyre, kështu që shkolla ka maska dhe mundet t’i furnizoj nxënësit të cilët nuk kanë maska… Nuk ka pasur probleme, të gjithë i kanë respektuar rregullat të cilat veçse i kemi prezantuar ditë me parë tek prindërit. Po ashtu, e kemi respektuar distancën, si jashtë në shënjëzime e po ashtu edhe brenda në shkollë”, ka thënë Oruqi.
Matjen e temperaturës e kanë bërë mësimdhënësit vullnet mirë.
Ndërsa profesori i kësaj shkolle, Albert Sylejmani të cilit i ishte caktuar detyra që t’i ndalonte prindërit që të mos futën në shkollë, ka thënë se fal bashkëpunimit, gjithçka ka shkuar në bazë të rekomandimit për mbrojtje nga Covid-19.
“Detyra ime ishte që në hyrjen kryesore të shkollës e cila vjen nga rruga kryesore të bëjë ndalimin e prindërve që të mos futen brenda oborrit të shkollës, pasi që kemi pasur të bëjmë me fëmijët e klasave të gjashta. Ditën e parë qysh ka qenë sot edhe përkundër entuziazmit shumë të madh të fëmijëve që të takohen ndërmjet veti, megjithatë kemi arritur që falë bashkëpunimit të mirë, nxënësit të mbajnë distancën në një masë mjaftë të mirë, t’i shmangin kontaktin, po ashtu kemi pasur mirëkuptimin edhe prindërve të cilët e kanë pranuar që të ndalen dhe të mos futën brenda ambienteve të shkollës”, ka thënë Sylejmani.
Profesori Sylejmani ka thënë se matjen e temperaturave të nxënësve e kanë bërë katër arsimtar, të cilët ishin vendosur në dy hyrjet e shkollës.
KosovaPress ka vizituar edhe shkollën fillore “Naim Frashëri”, ku nga fëmijët respektoheshin masat.
Përndryshe, pas një pushimi prej disa muajsh, sot në shkollat e Kosovës do të fillojë faza e parë e vitit të ri shkollor.
Bazuar në vendimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/21 në kushte pandemie, ora e parë e mësimit, në të gjitha shkollat e Kosovës, do t’i kushtohet informimit dhe vetëdijesimit të nxënësve lidhur me pandeminë COVID-19.
MASH ka propozuar që më datën 14 shtator të fillojnë mësimin klasat 0, 1, 2, 3, 6, 10 në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës. Klasat 4 dhe 5 të fillojnë mësimin tërësisht në shkollë ose me mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës, vlerësuar nga DKA dhe institucionet arsimore.
Ndërsa, në fazën e dytë, më 21 shtator, të fillojë mësimi me mësim të kombinuar për klasat 7, 8, 9, dhe 11, 12, duke vijuar mësimin dy ditë në shkollë dhe tri ditë online/në distancë.
Të gjithë janë të obliguar të bartin maska dhe MASH ka ndarë rreth një gjysmë milioni maska në shkolla në Kosovë.