Katër persona mbetën të plagosur nga një përleshje që ndodhi mes pesë personave gjatë së enjtes në Deçan. E gjithë ngjarja ndodhi në afërsi të Kuvendit Komunal të Deçanit.
Dy persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore e të cilët tani janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ndërsa dy persona janë arrestuar, njëri është i mitur e tjetri i moshës madhore.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi ka treguar për KosovaPress se ndaj personit të moshës madhore është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa ndaj të miturit është vendosur masa e ndalimit për 24 orë.
Nikqi: Dy persona janë arrestuar, një i mitur dhe një i moshës madhore.
“Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës ka dalë në vend të ngjarjes më pas është njoftuar edhe prokuroria e shtetit përkatësisht prokurori kujdestar i departamentit të krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore të Pejës. Si pasojë e një përleshje, dy persona kanë pësuar lëndime të rënda, ndërkaq dy persona tjerë janë arrestuar. Njëri i moshës madhore dhe njëri i mitur. Personi i moshës madhore me aktvendimin të prokurorit të shtetit është ndaluar 48 orë, ndërsa i mituri është ndaluar për 24 orë”, tha Nikqi.
Nikqi tha edhe se njësitet relevante janë duke ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e provave.
Ende nuk dihet arsyet të cilat çuan deri në përleshjen e pesë personave.
Nikqi: Ende nuk dihen arsyet e përleshjes
“Njësitet relevante janë duke marrë veprime hetimore për grumbullimin e provave në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit. Ende është fazë shumë e hershme për tu ditur rrethanat tjera”, tregoi Nikqi.