Sipas mediave ruse, “Komisioni për Radio dhe Televizion” i Lituanisë, i cili është në vartësi të Parlamentit lituanez, ka marr vendim për ndalimin e transmetimit të kanaleve televizive të “Russia Today”, në territorin e Lituanisë.
Grupit “Russia Today”, në Lituani, i është ndaluar transmetimi i pesë kanaleve televizive, “RT”, “RT HD”, “RT Spanja”, “RT Documentary” dhe “RT Documentary HD”, transmeton KosovaPress.
Rregullatori lituanez e arsyetoi ndalimin e transmetimit të kanaleve të “RT”, me faktin se Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj Dimitry Kisyov. Edhe pse kanalet e “RT” menaxhohen nga Margarita Simonyan, mbrapa “RT” qëndron Dimitry Kisyov.
Para Lituanisë, ndalimin e transmetimit të “RT” e kishte bërë Letonia, ndërsa në proces të ndalimit është edhe Estonia, çka do të çojë në ndalimin e transmetimit të “RT” në të gjitha shtetet baltike.
Siç shihet shtetet baltike e kanë parë rrezikun që ju vije nga mediat shtetërore ruse që janë pjesë e propagandës shtetërore ruse, andaj edhe kanë vendosur të ndalojnë transmetimin në territorin e tyre.
Propaganda ruse përmes “RT” dhe “Sputnik” është evidente edhe në rajonin tonë. Rritje të agresivitetit të propagandës ruse përmes “RT” dhe “Sputnik”, në shtetet e Ballkanit ka pasur posaçërisht gjatë fushatave zgjedhore, tentimeve për grushtet në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, referendumin për ndryshimin e emrit të Maqedonisë së Veriut, procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi, si dhe rasti i fundit para dy ditëve, protestat anti-Vuçiq në Beograd.