Pandemia Covid-19 dhe masat që kishin kapluar gjithë botën për mbrojte ndaj virusit, duket se nuk i ka bërë dëme turizmit në Shqipëri. Turizmi atje ka qenë në nivelin e duhur, e krejt kjo falë popullit të Kosovës, të cilët kishin vendosur që për pushime ta zgjedhin Shqipërinë.
Kështu ka thënë kryetari i Bashkisë së Vlorës, Driton Leli, i cili ka theksuar se vera në Shqipëri kishte shije ndryshe, e krejt kjo falë turistëve nga Kosova.
Leli: Në Shqipëri pati shije ndryshe
“E pa zakontë ashtu siç është e pazakontë jeta e të gjithëve, kur duhet ta takojmë njëri-tjetrin, ta mbajmë distancën, të kemi një maskë në dorë, kur futemi në ambiente të mbyllura, ose këtu në Kosovë i shoh njerëzit edhe në rrugë janë me maska duke respektuar masat anti Covid, ashtu ishte vera, jo vetëm në Shqipëri por gjithandej në gjithë botën, megjithatë në Shqipëri pati një shije ndryshe, një shije fantastike që ishte mbështetja e vëllezërve kosovar, të cilët u shfaqën në shtëpitë tona, në bizneset turizmit, kaluam verën së bashku, gëzuam njëri-tjetrin, dhe në fund prodhuam ekonomi”, ka thënë Leli.
Kryetari Leli ka thënë turistë ka pasur edhe nga vendet e tjera, mirëpo thekson se kjo verë ishte e shqiptarëve.
Leli: Prodhuam ekonomi për të gjithë shqiptarët
“Bjellorusia pa fund, kishte pak italian, kishte njerëz që erdhën për të kaluar pushimet në Vlorë nga vendet që kishin mundësi të lëviznin, megjithatë për mua, kjo ishte një verë e shqiptarëve, një verë e shqiptarëve nga kjo anë e bjeshkëve, dhe nga bregu i detit, të cilët takuan njeri tjetrin, folën shqip, gëzuan shqip dhe mbi të gjitha prodhuan ekonomi për të gjithë shqiptarët….Ne do të duam fort që të kthejmë vizitën vëllezërve tanë kosovar, ashtu siç erdhën na vizituan në muajt e verës, të kthehemi t’i vizitojmë në sezonin turistik të dimrit”, thotë ai.
Ndërsa,administrator i Regina Grup në Shqipëri, Vasil Bedinaj, ka thënë se pavarisht krizës pandemike, qytetarët e Kosovës e bënë më të mirën e mundshme që Shqipëria mos të ketë krizë turistike në sezonin verorë.
Bedinaj ka thënë se verën e kaluan në bregdetin e Shqipërisë, ndërsa dimrin do ta kalojnë në bjeshkët e Kosovës.
Bedinaj: Kosova e bëri me të mirën që Shqipëria të mos ta ndiente krizën
“Jemi këtu për të thënë një falënderim dhe ky falënderim shkon për të gjithë qytetarët e Kosovës, se e bënë të mundur që pavarësisht këtij viti, një vit krizë, e bënë më të mirën e tyre që ky vit, nuk e ndjeu kështu siç do ta ndiente krizën. Pra të gjithë së bashku e kaluam krizën për sezonin veror, dhe ky takim ishte që të mbyllim me një falënderim sezonin turistik veror për sa i përketë Shqipërisë, dhe hapim sezonin dimëror për sa i përketë Kosovës. Pra verën e kaluam në bregdetin e Shqipërisë, ndërsa dimrin do ta kalojmë nëpër bjeshkët e Kosovës”, ka thënë Bedinaj.
Bedinaj ka deklaruar se pavarësisht kërkesave për turizëm nga vendet e Bashkimit Evropian, ndihet mirë që janë bashkatdhetarët nga Kosova, ata që vizituan më shumë hotelin e tij.