Edhe 21 vjet pas luftës, drejtësia ende nuk ka arritur që të japë një përgjigje në lidhje me krimet e luftës në Kosovë të kryera nga agresori serb.
Për 13 mijë personat e vrarë, 1600 të zhdukurit dhe dëmet e mëdha materiale, nga misioni i UNMIK-ut dhe EULEX-it janë 117 të akuzuar.
Pavarësisht që në të gjitha raportet ndërkombëtare e vendore Republika e Serbisë paraqitet si agresore përballë Kosovës, ndjekjet dhe gjykimet penale ndaj shqiptarëve kanë qenë më evidente se sa ndaj serbëve.
Nga 117 të akuzuar, 62 prej tyre i përkasin nacionalitetit shqiptar, 49 nacionalitetit serb, pesë malazezë dhe vetëm një i etnisë RAE.
Kështu është thënë në raportin e titulluar “Amnistia e krimeve të luftës në Kosovë”, të Institutit të Kosovës për Drejtësi, ku theksohet “efikasiteti” i UNMIK-ut dhe EULEX-it për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Vonesat në trajtimin e këtyre rasteve kanë ndikuar që shumë të dyshuar të luftës të largohen nga Kosova. Kështu, të njëjtit është vështirë të gjenden edhe nga organet e ndjekjes. Shumë dëshmitarë të këtij gjenocidi nuk jetojnë më, ndërsa ka të tjerë që kujtesa u është zbehur.
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala tha se edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, drejtësia nuk ka arritur që të japë një përgjigje në lidhje me krimet e luftës në Kosovë.
“Ky raport paraqet përpjekjet e të gjitha institucioneve në trajtimin e këtyre rasteve, siç janë UNMIK-u, EULEX-i por edhe prokurorët vendorë. Ky raport paraqet edhe masakrat kryesore që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilat kanë pasur një bujë ndërkombëtare, mirëpo për të cilat 21 vjet pas përfundimit të luftës nuk e kanë marrë një epilog apo një përgjigje mbi përgjegjësit kryesorë të tyre nga sistemi i drejtësisë, përkundër këtij numri kaq të lartë të personave të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Përgjigja është se nga viti 1999 deri në vitin 2000 për rastet e krimeve në total nga misioni i UNMIK-ut, EULEX-it, por edhe nga prokurorët vendor janë 117 të akuzuar”, u shpreh ajo.
Kostoja financiare e dëmtimeve të para dhe pas luftës të shkaktuara nga Serbia është më shumë se mbi 22 miliardë. Hulumtuesja Medina Kadriu theksoi se ka pasur edhe mungesë të vullnetit politik për të sjellë para drejtësisë autorët e krimit.
“Nga viti 1999 e deri në vitin 2000, prokurorët vendorë kanë ngritur aktakuza ndaj 29 serbëve, një shqiptari dhe 3 malazezëve. Ndërkaq, nga viti 2000 deri 2008, prokurorët e UNMIK-ut kanë ngritur aktakuza ndaj 3 serbëve, 19 shqiptarëve dhe një malazezi. Gjatë kësaj periudhe kohore gjyqtarët e UNMIK-ut kanë dënuar vetëm një person, kurse në fund të misionit të tyre kanë lënë të pazgjidhura 1200 raste të krimeve të luftës, të cilat i janë trashëguar EULEX-it. UNMIK-u i ka kontribuar klimës së mosndëshkimit të krimeve të luftës, ngase nuk kanë zhvilluar hetime të menjëhershme, të pavarura dhe të paanshme. Dhe si rezultat i kësaj vetëm një numër i vogël i personave përgjegjës të luftës, krimeve etnike gjatë dhe pas luftës në Kosovë janë sjellë para drejtësisë”, ka deklaruar ajo.
Nga 1200 raste të trashëguara nga UNMIK-u, misioni i EULEX-it vetëm në korrik 2013 ka mbyllur 300 raste, me arsyetimin se ka pasur mungesë të provave.
“Misioni i EULEX-it ka dështuar që të vendos si prioritet lëndët e mbetura si të pazgjidhura të krimeve të luftës. E gjithashtu ka dështuar që të vendosë një bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal, veçmas me Serbinë që do të kontribuonte në sigurimin e prezencës së pandehurve në procedurë penale, dëshmitarëve, si dhe në sigurimin e materialeve provues. Rënia e kredibilitetit të EULEX-it në hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës ndërlidhet edhe me skandalet e shumta të publikuara edhe nga vet pjesëtarët e këtij misioni, ku aludohej se gjyqtarët e prokurorët e misionit të EULEX-it kanë pranuar avokat vendor për raste që lidhen me krime të luftës”, ka thënë ajo.
Pas vitit 2018, kur kompetencat kanë kaluar në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe gjyqtarëve vendore, EULEX-i ka pasur vetëm kompetenca monitoruese. Nga 2016 deri në qershor 2020, Prokuroria Speciale ka ngritur 14 aktakuza për krime lufte. Nga këto aktakuza, ky institucion ka arritur që vetëm një aktakuzë të përfundojë me aktgjykim dënues të formës së prerë, e që i takon etnisë shqiptare.
Mirvet Thaqi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se ideja e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit për themelimin e një Gjykate Ndërkombëtare për hetimin e krimeve të kryera nga Serbia, është e paarritshme, meqë sipas tij Kosova nuk ka asnjë rol në themelimin e saj.
Pavarësisht që në të gjitha raportet ndërkombëtare e vendore Republika e Serbisë paraqitet si agresore përballë Kosovës, ai tha se ndjekjet dhe gjykimet penale ndaj shqiptarëve kanë qenë shumë më evidente se sa ndaj serbëve.
“Nga gjithsej 117 persona të akuzuar, rezulton se 62 prej tyre i përkasin nacionalitetit shqiptar, pastaj 49 prej tyre i përkasin nacionalitetit serb, pesë malazezë dhe vetëm një person i përket etnisë RAE. Ndërsa, disbalanci është edhe më e theksuar kur është puna te dënimi i këtyre personave. Pra, nga gjithsej 40 aktgjykime të shqiptuara të formës së prerë rezulton se 35 të dënuar i përkasin përkatësisë etnike shqiptare, 4 janë serbë, ndërsa vetëm një është malazez. Shprehur me përqindje i bie që nga 1999 e deri në qershor 2020, nga gjyqtarët e misionit UNMIK, EULEX si dhe ata vendorë, përqindja e të dënuarve është 87,5 për qind i përkasin etnisë shqiptare, 10 për qind serbë dhe vetëm 2,5 prej tyre janë malazezë”, theksoi ai.
IKD ka trajtuar edhe masakrat më të mëdha të Kosovës, duke theksuar se për këto ngjarje makabre, drejtësia ende nuk e ka dhënë fjalën e saj përmes shqiptimeve të aktgjykimeve të formës së prerë. Madje, në vetëm dy prej këtyre masakrave ka të akuzuar. Në masakrën e Krushës së Madhe ka qenë një i akuzuar, ku ndaj tij është shpallur aktgjykim lirues. Ndërsa, në masakrën e Studimes është një person i akuzuar, për të njëjtin janë duke vazhduar procedurat./ksp/