Të mërkurën, kandidatja për Presidente të vendit, Vjosa Osmani, është takuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për të diskutuar rreth bërjes së kuorumit dhe votimit për Osmanin në këtë post, raporton Front Online.
Pas këtij takimi, Abdixhiku para mediave tha se do ta diskutojnë në kryesinë e partisë çështjen e Presidentit dhe do ta marrin një vendim.
E lidhur me këtë për Front Online, ka folur anëtarja e kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi.
Ajo tha se së shpejti pritet që të mbahet mbledhja e kryesisë për ta marrë një vendim përfundimtar për çështjen e Presidentit.
“Së shpejti kryetari do të na ftoj këshillin e Kryesisë dhe do të merret vendimi përfundimtar rreth pretendentes për Presidente”, tha shkurt Halimi.
Halimi e pyetur se a do të voton pro apo kundër votimit të Vjosa Osmanit, tha se vota e saj do të jetë ashtu siç vendos shumica e Kryesisë.
“Ne tani funksionojmë si kryesi dhe natyrisht se çfarë do të votojnë shumica e kryesisë natyrisht se edhe unë do të votoj pro ose kundër, kjo varet nga vendimi i shumicës së kryesisë së partisë”, deklaroi ajo për Front Online.