Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, e ka shpallur fajtore zyrtaren e Komunës së Prishtinës, Nerxhivane Demolli, e akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
E njëjta u dënua me 1 vit e gjysmë burgim me kusht.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Vesel Ismajli, dënimi me burg ndaj të akuzuarës nuk do të ekzekutohet, nëse e njëjta nuk kryen vepër penale brenda 2 viteve.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, e pandehura Nerxhivane Demolli akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, kishte tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për veti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Demolli e kishte bërë ashtu që po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, se gjatë periudhës kohore prej muajit mars 2019 e deri në muajin tetor 2019, si person zyrtar në Komunën e Prishtinës, përkatësisht si zyrtare e tatimit në pronë, e ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar duke marr nga qytetarët shumën e parave në vlerë prej 10 euro, duke lëshuar vërtetime pa mbulesë me zero euro, kinse është përmbushur taksa komunale për regjistrimin e automjeteve.
Sipas prokurorisë, e akuzuara një gjë të tillë e kishte bërë pa u siguruar prova se personat sipas ligjit kanë qenë të liruar nga taksa komunale, duke lëshuar 496 vërtetime me zero euro, me ç’rast e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prishtinës në shumë prej 4,960 euro.
Me këtë, prokuroria e ngarkon Demollin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.