Zyrtari i PDK’së, Arben Gecaj ka ironizuar me ata që kërkuan ndihmë nga NATO e BE’ja pas kërcënimit të Vuçiqit se me Kosovën mund të shpërthejë një luftë.
Gecaj ka shkruar se një fjalë e Vuçiqit ka bërë që të kërkohet ndihmë nga BE e NATO.
“Dallimi i madh! Nje fjale e Vucicit dje, o kuku BE e Nato, aman na ndihmoni, a po e ndegjoni.
Para 20 viteve, nje grusht njerezish e nisen vet edhe ia dolën”, ka shkruar Gecaj.
Një deklaratë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç i cili e krahason konfliktin me Kosovën me atë të Nagorno-Karabak ka ngritur reagime të shumta në Kosovë.
Vuçiç tha për gazetarët se nuk dëshiron konflikt të ngrirë me Kosovën, ndërsa për ta ilustruar pasojat që mund të ketë sipas tij ka përmendur luftën që po zhvillohet në Nagorno Karabak ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke thënë se si “nga një konflikt i ngrirë prej 30 vjetësh mund të shpërthejë lufta”.
Ai theksoi që Beogradi duhet të punojë për arritjen e zgjidhjes përmes kompromisit me Kosovën.
“Por, porosia më e rëndësishme është porosia e paqes, dialogut dhe dëshirës që të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe ta kuptojmë që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut. Është më mirë që ta arrijmë më herët sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”, ka theksuar Vuçiq.