Zyrtarë të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së kanë shkuar pranë shtëpisë së Jakup Krasniqit në Negroc të Drenasit, ku zyrtarë të Policisë së EULEX-it me urdhër të Prokurorisë së Specializuar po kryejnë bastisje.
Zyrtari i OVL të UÇK-së, Enver Hajdari e ka cilësuar maltretim trajtimin që po i bëhet Jakup Krasniqit, i cili po merret në pyetje brenda shtëpisë së tij në lagjen Velania në Prishtinë, shkruan Gazeta Express.
“Ka ndodhë diçka që nuk ndodh kurrkund në botë.. Një izolim, një maltretim”, ka thënë Hajdari.
Bastisjet e Prokurorisë së Specializuar, sipas tij janë të njëanshme dhe të turpshme.
“Këto bastisje janë të njëanshme…. Ne nuk e njohim këtë gjykatë dhe nuk do ta njohim këtë gjykatë. Bastisja është gjëja më e turpshme që ndodh pas 20 viteve”, tha ai.
Hajdari ka thënë se nuk kanë informacione nëse janë bastisur edhe shtëpi tjera të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Paraprakisht, avokati i Jakup Krasniqit ka thënë se Dhomat e Specializuara e kanë konfirmuar aktakuzën kundër klientit të tij, dhe se ai do të transferohet në Hagë për gjykim.