Zyrtarë të lartë të administratës Trump kanë zbuluar pa dashje planet ushtarake të SHBA-së për sulmet kundër Houthive në Jemen në një grup mesazhesh ku ishte i pranishëm edhe një gazetar.
Demokratët e dënuan menjëherë gabimin, duke e cilësuar si shkelje të sigurisë kombëtare dhe kërkuan hetim nga Kongresi.
Sipas raportit, më 13 mars, redaktori i The Atlantic, Jeffrey Goldberg, u shtua në mënyrë të papritur në një grup të koduar në aplikacionin Signal, të quajtur “Houthi PC small group”.
Aty, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, udhëzoi zëvendësin e tij të krijonte një ekip për të koordinuar sulmet kundër Houthive.
Më 15 mars, pak orë para fillimit të operacionit ushtarak, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shpërndau detaje të ndjeshme mbi objektivat, armët dhe strategjinë e sulmit.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se grupi i mesazheve ishte autentik dhe se po hetohej se si një numër i paautorizuar ishte përfshirë në komunikim.
Presidenti Donald Trump tha se nuk ishte në dijeni të incidentit, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes, Hegseth, mohoi të kishte ndarë planet e sulmit. Megjithatë, Goldberg e quajti këtë mohim një “gënjeshtër” dhe e mbrojti raportimin e tij në një intervistë për CNN, transmeton Klankosova.tv.