Sami Sermaxhaj ka mbyllur aventurën e tij te skuadra nga Skenderaj, Drenica.
“Kuqezinjtë” dhe trajneri kosovar nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit dhe kësisoj kanë rënë dakord që të “divorcohen”.
Lajmin e kanë bërë të ditur në faqen zyrtare të klubit nga Skenderaj në Facebook.
Klubi drenicas ka falënderuar Sermaxhajn për kontributin e dhënë, teksa kanë njoftuar se tashmë janë në kërkim të një trajneri të ri.
Sami Sermaxhaj u angazhua te Drenica në muajin mars pas largimit të Bledar Devollit dhe arriti të shpëtonte klubin drenicas nga rënia.
Njoftimi i plotë i Drenicës:
“Klubi dhe Sermaxhaj, nuk vazhdojnë bashkëpunimin!
Skenderaj – 07.06.2021
Pas bisedave mes drejtuesve të klubit dhe trajnerit, Sami Sermaxhaj, nuk është arritur marrëveshja për vazhdimin e bashkëpunimit për edicionin e ardhshëm.
Drejtuesit e klubit dhe trajneri nuk kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin Sermaxhaj, dhe kësisoj klubi tashmë është venë në kërkim të një trajneri të ri për edicionin 2021/2022.
Klubi futbollistik ‘Drenica’, e falënderon trajnerin Sami Sermaxhaj për kontributin dhe angazhimin e dhënë për KF Drenica gjatë kësaj kohe, dhe i uron suksese në të ardhmen.
Drejtuesit e klubit, janë të angazhuar që shumë shpejt ta emërojnë trajnerin e ri për edicionin e ardhshëm”.