Klubi i Basketbollit Rahoveci ka njoftuar se ka ndarë rrugët me trajnerin, Fotis Takianos.
“Vreshtarët” përmes faqes zyrtare kanë lavdëruar trajnerin në fjalë duke e falënderuar atë për kontributin në klub.
Kjo ndarje mes palëve vjen si pasojë e humbjes në gjysmëfinale të “Play-Off”-it në Superligë nga Ylli.
“Erdhi vonë, por u dashurua menjëherë me klubin në veçanti e qytetin në përgjithësi. Mikpritja që njerëzit e Rahovecit ia rezervuan atij, mbeti njollë e pashlyeshme tek ai, por e bukur. Këtë fakt e përmendte vazhdimisht, kudo që shkonte, me këdo që qëndronte. Ai përfundoi misionin e paraparë për këtë edicion. Kur i thamë lamtumirë, nuk pranoi. Tha, jo, nuk i dihet jetës, rrugët janë të ngatërruara aq bukur, sa mund të bëhemi bashkë sërish. Kryesia e klubit e falenderon pafundësisht atë, teksa i uron suksese të panumërta në aventurat e radhës. Faleminderit Fotis”, thuhet në njoftimin e KB Rahovecit.
Rahoveci e mbylli edicionin e rregullt në pozitën e dytë në tabelë me 46 pikë, dy më pak se Ponte Prizreni që ishte e para.