Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar ditën e martë se Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë edhe dy ndeshje tjera miqësore në muajin qershor.
Krahas San Marinos dhe Kazakistanit, “Dardanët” do të përballen edhe me Kombëtaren e Komorosit dhe të Gambisë.
Për dallim nga dy ndeshjet e para që luhen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, FFK-ja ka konfirmuar se ndeshjet me dy kombëtaret (Komorosin dhe Gambinë) do të luhet në një kamp në Antalya.
“KE diskutoi edhe për ndeshjet miqësore të Kombëtares A dhe FFK-ja ka arritur pajtueshmëri që më 1 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” ta zhvillojë një ndeshje me Kombëtaren e San Marinos, ndërsa më 4 qershor me Kombëtaren e Kazakistanit po ashtu në kryeqytet. Ndërkaq, më 5 qershor Kombëtarja A e përbërë kryesisht me futbollistë të Superligës udhëton në Antalia për një kamp disa ditorë dhe në program do të ketë zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore me Kombëtaren Komorosit dhe të Gambisë”, thuhet në njoftimin e shtëpisë së futbollit kosovar.