Klubi i futbollit, Ferizaj duket se do t’i rikthehet normalitet së shpejti.
Ferizaj ka qenë e kapluar nga kriza financiare viteve të fundit, derisa kohë pas kohe kishte paralajmërime për bojkot, shkruan FrontOnline.
Megjithatë, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka njoftuar se klubi ferizajas do të jetë në duar të sigurta nga edicioni i ardhshëm.
Njoftimi i plotë nga komuna:
“Pas përpjekjeve disajavëshe, ekipi ynë i zemrës, Klubi i Futbollit “Ferizaj”, i gjetur në vështirësi që padyshim nuk meritoi, po këndellet. Është përgjigja pozitive që mora nga bizneset ndër më të fuqishme ferizajase, në iniciativën time për ta marr në duar të sigurta fatin e klubit, ajo që po rikthen shpresën.
Një qytet si Ferizaj, sinonim ka biznesin, e kjo e fundit natyrshëm do t’i shërbej si lokomotivë ecjes së shpejtë drejt majave elitare të futbollit ferizajas.
Është momenti për të uruar futbollistët dhe futbolldashësit, është çasti për të falënderuar bizneset kurdoherë të gatshme, është ora e rikthimit të fuqishëm të Klubit të Futbollit “Ferizaj”.
I lumtur ta kurorëzoj suksesshëm iniciativën time dhe ta kumtoj këtë lajm të mezipritur për adhuruesit e futbollistët ferizajas.
Urime e pastë ditë të bardha për futbollin ferizajas!”, bëhet e ditur nga faqja e komunës së Ferizajt”./FrontOnline/