Ndonëse e nënshkroi “dëbimin” nga elita e futbollit kosovar më herët se që është pritur, Besa e Pejës është shquar këtë edicion për punën e madhe me futbollistët e rinjë.
Ish-trajneri i Besës, Jerome Klein dhe ai aktual, Leotrim Krasniqi i kanë besuar shumë të rinjëve duke startuar në shumicën e ndeshjeve me këta futbollistë këtë edicion, raporton FrontOnline.
Disa nga futbollistët e rinjë të Besës që shkëlqyen sivjet janë Etnik Brruti, Diar Halili, Agron Kolaj dhe Ardit Tahiri.
Falë paraqitjeve të mira të futbollistëve dhe organizimit të mirëfilltë të klubit pejan, futbollistët e lartëcekur do ta kenë rastin e artë për ta vazhduar karrierën në futbollin evropian.
Ish-trajneri dhe drejtori aktual i Besës së Pejës, Jerome Klein e ka konfirmuar për FrontOnline se Brruti dhe Halili do të jenë në prova te Sporting Braga nga dita e nesërme.
“Ne i kemi dy futbollistë te klubi portugez, Sporting Braga nga kjo javë. Ata janë Diar Halili dhe Etnik Brruti”, ka deklaruar Klein.
“Provat e tyre do të nisin nga nesër apo nga dita e hëne. Ndoshta Brruti dhe Halili do të shkojnë diku tjetër pas provave, varet nga rezultati me Bragën”, tregoi ai.
Por, kjo nuk është e tëra.
Besa e Pejës e fokusuar tek e ardhmja, grupmoshat e klubit pejan “korrin” suksese të mëdha
Nga Besa e Pejës priten të testohen edhe dy futbollistë në Austri.
“Agron Kolaj dhe Ardit Tahiri do të jenë gjithashtu për prova në Austri te Flyeralarm Admira. Ata do të nisin nga dita e hëne apo e marte”, përfundoi të shtunën për FrontOnline Jerome Klein.
Ndryshe, Etnik Brruti dhe Diar Halili janë vetëm 17-vjeçarë, Ardit Tahiri është 18-vjeçar, kurse “gardiani” Agron Kolaj i ka vetëm 20-vjeç.
Këtë edicion, pas 33 javësh, Besa e Pejës zë vendin e fundit me vetëm 12 pikë të tubuara, por në fushën e lojës vazhdimisht ka shfaqur paraqitje të mira./FrontOnline/