Esat Mala ka zbarkuar në Turqi. Mesfushori ka gjetur marrëveshjen për t’u transferuar te Giresunspor, që u ngjit në Superligë.
Turqit do të paguajnë rreth 100 mijë euro te Partizani, për taksën e formimit që kapte vlerë edhe më të lartë. Klubi i kuq mban edhe 10 % të kartonit në këmbim të uljes së bërë për taksën e formimit.
Mala e ka lënë grumbullimin me Partizanin dhe ndodhet në Turqi, nga ku menaxheri Rrahman Kice ka postuar edhe një foto duke paralajmëruar se është dita e firmës për mesfushorin.
Mala në Turqi ishte kërkuar edhe nga Samsunspor, që garon në ligën e dytë. Transferimi nuk u krye dot për shkak se klubi turk e kishte plotësuar numrin e të huajve dhe tentoi ta afrojë dhe ta huazojë lojtarin nga Prizreni.
Giresunspor u tregua më konkret dhe e fitoi farën, duke e bërë Malën pjesë të ekipit. 22-vjeçari tani është gati për një aventurë të re, në një kampionat mjaft të fortë si Superliga turke.