Zyra e Kryeministrit ka blerë 3 kolltuqe dhe një tavolinë, rishtazi.
Vlera e përbashkët e tyre është afër 1 mijë euro, raporton “Front Online”.
Paratë, ekzekutivi, do t`i derdh në arkën e kompanisë “Mobelland”, të cilën e shpërbleu me kontratë sot.
Kolltuqet, të paktën në dosjen e tenderit, janë përshkruar si ekskluzive.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur për “Front Online” se tre kolltukët kanë kushtuar 750 Euro.
“Blerjet janë bërë për t’iu përgjigjur nevojës për karrige/kolltukë shtesë të cilat përdoren për pritjen e mysafirëve dhe delegacioneve të ndryshme gjatë takimeve që zhvillohen në kabinetet e Zyrës së Kryeministrit. Çmimi i tyre në total është 750 Euro”, theksoi ai për “Front Online”.
Sipas tij, 236 euro është vlera e ndërhyrjeve që ai i ka quajtur të nevojshme në tavolinën e sallës P-38.
“Në të njejtën kohë, me qëllim të funksionalizimit me të përshtatshëm të sallës P-38 në të cilën zhvillohen mbledhje të rëndësishme të Qeverisë dhe me karakter përfaqësues, janë bërë ndërhyrje të nevojshme të cilat kanë kapur vlerën 236 Euro”, deklaroi Kryeziu.
Ai ka dërguar edhe një fotografi të tavolinës për të cilën bëhet fjalë.
Shënim: Tavolina e paraqitur në grafikën e mësipërme të “Front Online” është përdorur si ilustrim pasi nuk është specifikuar asgjë rreth modelit të saj në dosjen e tenderit. Ndryshe prej kolltukëve.