Gjykata Speciale e Hagës e ka demantuar zyrën e kryeministrit Hoti, e cila mohoi se i janë kërkuar komente për amandamentin e propozuar nga presidenti Thaçi për mandatin e Speciales. Nga Haga thonë se përveç palëve tjera, edhe kryeministri është njoftuar për mundësinë që të dërgojë komente për këtë amandament që ka shkaktuar një situatë dramatike brenda dhomave të Kushtetueses në kuadër të Gjykatës Speciale. Sidoqoftë, nuk dihet pse kryeministri po refuzon të jap komentet e tij.
2 nëntori është afati i fundit kur palët nga të cilat janë kërkuar komente dhe parashtresa me shkrim për amandamentin për mandatin e Speciales, mund t’i dërgojnë ato në Dhomat e Kushtetueses në kuadër të Gjykatës Speciale. Prokuroria e Specializuar, presidenca dhe Ombudspersoni janë tri institucionet që deri më tani kanë dërguar komentet e tyre në lidhje me këtë amandament, shkruan lajmi.net.
Dhomat e Kushtetueses në kuadër të Speciales, në dokumentet që kishte parë lajmi.net, komente për mandatin e Speciales kishin kërkuar edhe nga kryeministri Hoti.
Sidoqoftë, zyra e këtij të fundit në një përgjigje për lajmi.net mohoi se ka pasur një kërkesë të tillë nga Haga.
“Zyra Ligjore e ZKM-së, nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për opinion apo komente lidhur me çështjen e ngritur nga ana e gazetarëve”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Hotit për lajmi.net.
Mirëpo kështu nuk thonë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë. Në një përgjigje dhënë lajmi.net, ata thonë se të gjitha palët e përmendura në dokumentin e lartëshënuar janë njoftuar për mundësinë për komentet e tyre, pra përfshirë edhe zyra e kryeministrit Hoti.
“Vendimi për njoftimin mbi kërkesën për informacione thotë se: Gjykata Kushtetuese paneli 1, vendos që të njoftojë autoritetet si në vijim për mundësinë e tyre që në lidhje me kërkesën, deri më 19 tetor 2020, të dërgojnë parashtresa me shkrim, nëse duan ta bëjnë këtë, mbi pranueshmërinë ose meritat e kërkesës(amandamentit): Presidenti i Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë(Joseph Borrell), Kryeministri i Kosovës, Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara si dhe shefi i EULEX-it”, kanë thënë në një përgjigje për lajmi.net nga zyra për media e Gjykatës Speciale të Hagës.
Ata tutje thonë se të gjitha palët janë njoftuar në lidhje me vendimin, ani pse zyra e Hotit e mohon një gjë të tillë.
“Bazuar në të lartëpërmendurat, të gjitha palët janë njoftuar për vendimin. Shpresojmë se kjo e sqaron”, thuhet tutje në përgjjigjen e dhënë nga Specialja për lajmi.net.
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, që nga fillimi ishte shprehur shumë i rezervuar që të jap deklarata për punën e Speciales.
Hoti edhe tani kur po i kërkohet një qëndrim me shkrim, zyrtar për mandatin e Speciales, po refuzon ta bëj një gjë të tillë.
Për këtë çështje s’ka folur ende kryeministri, si dhe nuk dihet se përse zyra e tij po e mohon se i janë kërkuar komente në lidhje me amandamentin e propozuar nga presidenti Thaçi.
Palët e lartëpërmendura e kanë ditën e hënë të javës së ardhshme, afat të fundit për të dorëzuar komentet e tyre për amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës, nenit 162 që ndërlidhet me mandatin e Dhomave të Specializuara të Prokurorisë së Hagës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, ani pse nuk i ishin kërkuar komente, kishte ndërhyrë në këtë çështje me një kërkesë të veçantë drejtuar Dhomave të Kushtetueses, në të cilën theksonin se amandamenti prek direkt punën e tyre hetuese, dhe se është e pashmangshme që ata të japin mendimin e tyre për të.