×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Zvicra na “shuan etjen”

    FrontOnline
    01 Mars 2022

    Qeveria e Zvicrës përgjatë dy dekadave të fundit ka investuar rreth 30 milionë franga zvicerane në sektorin e ujit të pijes dhe kanalizimit në Kosovë. Shumë banorë nga rajone të ndryshme të vendit e kanë “shuar etjen” falë këtyre investimeve milionëshe

    Para dy dekadave as nje e treta  e banorëve të zonave rurale në Kosovë nuk kishin qasje në ujë të pijshëm e as në kanalizim. Ky problem me të cilin përballeshin banorët u identifikua shpejt nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, e cila mori masa të menjëhershme për ta zgjidhur. Përgjatë njëzet vjetëve u instaluan me qindra mijëra metra gypa të ujësjellësit  gjithandej Kosovës, falë investimeve prej rreth 30 milionë frangave zvicerane, duke e arritur synimin që mbi 90 për qind e qytetarëve të kenë qasje në ujin e pijshëm nga Kompanit Regjionale tëujësjellësve te licensuar dhe duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë furnizimit me ujë nga puset, ujë ky që nuk i plotësonte as kriteret minimale për konsum.

    Uji parandalon zbrazjen e fshatrave në Skenderaj

    Aq sa ishin nuk janë më. Numri i popullsisë në dy fshatrat e Skenderajt, Likoc e Plluzhinë, është zvogëluar. Banorët e këtushëm po ikin ditë për ditë. Njëra nga arsyet që po i detyron të largohen është mungesa e furnizimit me ujë. Ata akoma s`janë bërë pjesë e sistemit të Ujësjellësit.

    “Shumica e fshatit e kanë lëshuar fshatin se s`ka ujë”, thotë Shaqir Veseli, përfaqësues i banorëve në Likoc. Fjalët ia konfirmon edhe Arsim Isufi. E njëjtë është situata edhe në katundin e tij thotë ai.  “Si në Likoc, edhe te na në Pllozhinë, po ikin në qytet. S`po ka ujë”, u shpreh Jusufi që flet në emër të krejt bashkëfshatarëve pllozhinas.

    “Qaren” e kanë gjetur deri diku vet, ama jo bash gjithçka po varet prej tyre. Pusetat i kanë hapur, e sasia që akumulohet në to është në “duart” e Zotit, varet nga reshjet atmosferike. Në mungesë të tyre ato shtjerrin. “Jemi furnizu me puse. Kohët e fundit që nuk patë reshje atmosferike veç kanë shterr. I kemi fillu shpimet deri në 80 metra, po nuk po ka reshje. E kena përdor për pije, nevoja shtëpiake”, thotë Veseli i Likocit, rreth të 60-ave. “Jemi furnizuar përmes puseve që i kemi hapur vetë edhe pse niveli nuk ka qenë i kënaqshëm me ata ujë”, ia pret Jusufi i Pllozhinës.

    Me bure e traktorë për ca litra ujë

    Për këto halle të tyre njohuri kanë edhe në Ujësjellësin e Skenderajt. Menaxheri i kësaj kompanie, Ilaz Halili bile rrëfen për disa përjetime me të cilat ai dhe punonjësit e tjerë janë ndeshur shpesh gjatë punës së tyre. “Këta nuk kanë pasur ujë. Vinin në ujësjellës për me marrë ujë me bure, me traktora”, thekson ai.

    Në “razi” muhabetin Veseli e Isufi nuk e kanë te një çështje. I pari insiston se uji në fshatin e tij në Likoc është i pastër, kurse i dyti mendon që në të tijin, atë të Pllozhinës  jo. Të dy kur folin për këtë përmendin disa analiza.  “Nuk ka qenë i papastër. I kena ba analiza”, deklaron Veseli i Likocit.  “Ka dalë i papërdorshëm, po e kena përdorë. Nuk e kemi gjendjen e mirë financiare që me ble përditë”, tregon Isufi për veti dhe 1200 banorët e tjerë të Pllozhinës.

    Megaprojekt i teknologjisë së fundit

    Është dikush që do t`ua heqë të gjitha këto derte. Qeveria Zvicerane po “derdh një mal” me para në një projekt që do t`u mundësojë atyre kyçjen në Ujësjellës. Punët për këtë, sipas inxhinierit të kompanisë fituese të tenderit, Egzon Behluli, deri tash po shkojnë në rregull. “Sistemi i furnizimit me ujë është nga stacioni i pompave që gjendet në Llaushë. Përbëhet nga 4 pompa të teknologjisë së fundit. Ka katër rezervarë të cilët në bazë të llogaritjeve do ta mbulojnë furnizimin me ujë. Është edhe sistemi i klorizimit”, tha ai.

    Projekti nuk është paraparë të realizohet vetëm në Likoc e Plluzhinë. Ai do të shtrihet edhe përgjatë 9 fshatrave të tjera, Rrezallën, Morinën, Ticën, Abrinë e Poshtme, Murgën, Makmerrmalin, Kreshecin, Llaushën dhe Aqarevën.Punimet në këto 11 vise kanë filluar në qershor të 2020-s dhe pritet të finalizohen kah mesi i vitit 2021. Ato kapin vlerën e 1 milionë e 375 mijë eurove.

    As në ëndërr

    Me shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në këto anë Halili, menaxher i Ujësjellësit në Skenderaj, pohon se kanë mbetur veç edhe një përqindje e vogël e vendbanimeve rurale që janë jashtë rrjetit të tyre. ”Diku 70 % e fshatrave janë lidhur në sistemin tonë. Po flas për rrjet. Sa i përket kyçjeve individuale ka ndihmuar komuna nga bugjeti vetanak

    ”. Ky shton se ishin goxha pesimist se do të ndreqej ky problem. “As në ëndërr nuk kena mujt me pa që do të kryhet ky projekt. Po, falë investimit të Qeveris së Zvicrës dhe Kosovës, u arrit”, përfundon fjalët e tij.

    Nga të zeza të ujëra të bardha

    Edhe disa klinas të tjerë e patën një preokupim. Sido që të jetë ata e kaluan atë. Problemi i ujërave të zeza u është eliminuar banorëve të Volljakës. Kjo për faktin se fshati i tyre tashmë është bërë me një impiant që merret pikërisht me trajtimin e këtyre ujërave. Para se të ndodhte kjo, ata hoqën goxha shumë. Të bëmat i tregoi përfaqësuesi i fshatit, Shani Berisha. “Jena kanë me ujëra të zeza shumë keq. Ato dilshin nëpër rrugica e toka bujqsore. Kundërmonte erë. Fëmijët u zhytnin në to. Toka u kanë e papunueshme kah kanë kalu ato anej. Kuzhinës i vinte era brenda”, u shpreh ai.

    Berisha shfaqet i lumtur për realizimin e këtij projekti 185 mijë eurosh. Me të siç thotë ai u është lehtësuar derti 180 shtëpive. Nga afër punimet, të cilat janë thuajse të përfunduara, po i mbikëqyrë inxhinieri Visar Mehmeti. Ky flet për rëndësinë e tyre: “Jemi duke e trajtuar impiantin për trajtim të ujërave të zeza. Gjithë fshati ka kundërmu nga kanalizimi. Pritet të lëshohet në funksion brenda 10 diteësh. Me rregullimin e tij ujërat do të trajtohen dhe 95% e tyre do të dalin të pastra. Ato nuk përdoren për sanitari. Megjithatë ato ujëra nuk i bëjnë dëm as natyrës, as gjelbërimit e as asgjëje”, tregoi ai.

    Klinës i shtohen edhe disa fshatra në rrjetin e Ujësjellësit

    Situata më e mirë nuk është as në Klinë. Problemi me ujë të pijes edhe këtu është i pranishëm. Është aq i shfaqur sa një cisterne me ujë të Ujësjellësit i është dashur gjatë gjithë vitit të qëndrojë në terren për t`i furnizuar banorët në nevojë. Situata të tilla janë parë në 11 fshatra të kësaj komune:  Perqevë, Caravik, Çabiq, Zabergjë, Ujëmirë, Doberdol, Rixhevë, Stapanicë, Gllarevë, Gjurgjevik i Madh dhe Stupë. Shkak për këtë është moslidhja e tyre në gypin e Ujësjellësit.

    Këtë e konfirmoi inxhinieri i Hidro-Drinit, Burim Berisha. “Banorët janë furnizuar me puse. Nëse nuk kanë pasur ujë në to, i kemi furnizuar me cisterna. Kemi bartur gati gjithë vitin me një cisternë 3 a 4 mijë litra. Ka pasur shumë raste të tilla. Edhe në vikend kemi punësuar që t’ju sigurojmë ujë qytetarëve”, tregon ai.

    Stop vuajtjeve, kësaj gjendje të mjerueshme po i afrohet fundi. Gypat kanë arritur e ata do të shtrihen, me ç`rast 10 mijë banorë sa janë në 11 zonat e përmendura, s`do ta kenë më problem furnizimin me ujë të pijes. Sebep si në shumë komuna të tjera edhe këtu u bë donacioni i CDI-së. Realizimi sapo ka nisur derisa pritet të mbarojë ne mesin e viti 2022.

    1 milionë e 484 mijë është etiketa e krejt këtij investimi. Imtësitë e projektit gjigant.

    Garanci se gjithçka do të shkojë mirë jep Veton Hamza, inxhinier në kompaninë që ka fituar tenderin. Ai tregoi më në hollësi për megaprojektin, i cili sipas tij mundëson furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.

    “Janë dy stacione të pompimit dhe tre rezervarë. Do të ketë 24 orë ujë të pijes. Komentet janë shumë pozitive nga ana e qytetarëve. Ata kanë qenë që një kohë pa ujë të pijes. Projekti i ka të gjitha. Tre rezervarë do të punojnë dhe do të ketë tri stacione të pompimit”.

    Zvicra na “shuan etjen”

    Para dy dekadave as njëe terta  e banorëve të zonave rurale në Kosovë nuk kishin qasje në ujë të pijshëm e as në kanalizim. Ky problem me të cilin përballeshin banorët u identifikua shpejt nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, e cila mori masa të menjëhershme për ta zgjidhur. Përgjatë njëzet vjetëve u instaluan me dhjetëra mijëra gypa gjithandej Kosovës, falë investimeve prej rreth 30 milionë frangave zvicerane, duke e arritur synimin që mbi 90 për qind e qytetarëve të kenë qasje në ujin e pijshëm nga ujësjellësit e licensuar dhe duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë furnizimit me ujë nga puset, ujë ky që nuk i plotësonte as kriteret minimale për konsum. Ky investim i Qeverisë së Zvicrëssë bashku me Qeverinë e Kosovës është realizuar falë një bashkëpunimi  të shkëlqyeshëm me komunitetet, nivelit lokal dhe atij qendror. Alan Brown, udhëheqës i programit RWSSP  nga Dorsch dhe CDI, që është partner implementues i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, ka theksuar në një intervistë se bazuar në synimet e zhvillimit të qëndrueshëm, të cilat Kosova i ka miratuar, kërkohet qasje universale në furnizimin me ujë dhe në rrjetin e kanalizimit deri në vitin 2030, dhe kjo siç ka thënë ai mund të arrihet nëse vendosen dhe zbatohen plane të mira strategjike. Gjatë kësaj interviste ai ka treguar se si e ka gjetur Kosovën në vitin 2001, kur kishte nisur punën këtu dhe me cilat sfida janë përballur përgjatë dy dekadave në sektorin e ndërtimit të sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

    Para dy dekadave më pak se një e treta e banorëve në zonat rurale kishin qasje në ujë të pijshëm.

    Ju jeni të angazhuar për më shumë se një dekadë e gjysmë në Kosovë, veçanërisht në sektorin e ndërtimit të sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimeve. Si e gjetët Kosovën në atë kohë, në fushën ku u angazhuat fillimisht dhe në çfarë situate është sot?

     Brown:  Kur arrita për herë të parë në Kosovë në vitin 2001, sistemi i kanalizimit dhe ujësjellësit ishte në gjendje të rëndë, me disa dëmtime nga lufta, por kryesisht për shkak të investimeve të pakta në këtë sektor. Në veçanti shërbimet e ujësjellësit në zonat rurale ishin jo të kënaqshme, me më pak se një të tretat   popullsisë rurale që kishin qasje në furnizimin me ujë të pijshëm.
    Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë e identifikoi këtë problem dhe filloi mbështetjen e tyre në pjesën e Kosovës Juglindore. Donatorë të tjerë ofruan mbështetje në fusha të tjera.
    Me këtë rast është shënuar një rritje e madhe e qasjes së kosovarëve në furnizimin me ujë të pijshëm, pas instalimit të dhjetëra mijëra kilometa të gypave gjithandej Kosovës. Mbi 90% e popullatës në Kosovë tashmë ka qasje në ujin që furnizohet nga ujësjellësit në vendet e tyre.

    Zvicra është një nga donatorët më të mëdhenj në sektorin e ujësjellësit dhe kanalizimeve. Sa është shuma e përgjithshme e investimeve të realizuara nga shteti zviceran, përmes CDI-së, përgjatë dy dekadave të fundit në Kosovë?

     Brown: Qeveria zvicerane ka investuar afërsisht 30 milion franga zvicerane gjatë 20 viteve të fundit për përmirësimin e furnizimit me ujë, që është kombinuar me financimin nga komunitetet, Komunat dhe Qeveria e Kosovës, duke siguruar kështu bashkëpunim të shkëlqyeshëm midis donatorëve dhe përfituesve të programit.

     Në cilat pjesë të Kosovës Zvicra ka realizuar më shumë investime në këtë sektor dhe si ishte bërë përzgjedhja e rajoneve për investime?

     Brown: Fillimisht financimi zviceran ishte fokusuar në rajonin e Kosovës Juglindore, por kur donatorët tjerë janë tërhequr nga ky sektor, zviceranët rritën mbështetjen e tyre nëpërmjet projekteve në të gjithë vendin. Nuk është reale të shohësh fushat që përfitojnë më shumë, apo më pak se të tjerat. Investimet e Zvicrës dhe Qeverisë së Kosovës kanë qenë në shënjestër të nevojave të komuniteteve individuale, bazuar në rritjen e popullatës që furnizohet dhe veçanërisht në nevojat e shëndetit publik. Kjo ka çuar në rritjen e numrit të konsumatorëve që kanë qasje në ujin e furnizuar nga operatorët e licencuar, me ç’rast aktualisht mbi 90 % e popullsisë së Kosovës mund të kenë qasje në furnizimin me ujë nga ndërmarrjet Rajonale të Ujit.

    Në përgjithësi, sa kishin nevojë zonat rurale dhe urbane të Kosovës për investime në sektorin e furnizimin me ujë?

     Brown: Zona të ndryshme kishin kërkesa të ndryshme për furnizim me ujë të pijshëm, por sigurisht që komunitetet në zonat rurale ishin në një situatë të vështirë, me shumë sfida me të cilat përballeshin duke përfshirë disponueshmërinë e burimeve të ujit, distancat që duheshin mbuluar për të arritur komunitetet dhe terrenin e vështirë. Edhe zonat urbane ishin gjithashtu në gjendje të vështirë dhe kishin nevoja urgjente, pasi që shumë banorë u zhvendosën në qytete si pasojë e punësimit.

    Cilat kanë qenë sfidat tuaja kryesore gjatë implementimit të projekteve në Kosovë?

    Brown: Kosova është dashur ta zërë hapin me pjesën tjetër të Evropës, së pari duke u siguruar që uji mund të sigurohet për qytetarët e vendit, i cili ishte një objektiv i hershëm i komunitetit të donatorëve. Por më pas ka pasur nevojë për t’i përmbushur sfidat gjithnjë në rritje, duke përfshirë ndryshimin e klimës (më shumë përmbytje dhe më shumë thatësira), përmirësimin e teknologjisë, zhvillimin shkencor të sektorit të ujit, rritjen e nevojave për efiçiencën e energjisë, rritjen e nevojës për mbrojtjen e burimeve ujore dhe shumë më tepër. Këto çështje duhet të përgatiteshin nga Qeveria e Kosovës dhe nga sektori.

    Çfarë sfidash po hasni si donatorë pas implementimit të këtyre projekteve?

     Brown: Dorsch/CDI nuk është donator. Ne jemi partneri implementues i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe i Qeverisë së Kosovës. Pra, për mendimin tim personal sfida që duhet adresuar është të sigurojmë që sektori i ujit të menaxhojë dhe zhvillojë aktivitete normale operacionale, për të përmirësuar furnizimet me ujë, për të rritur mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura dhe për të përmirësuar efikasitetin. Kjo do t’u mundësonte donatorëve që të mbështesin zhvillimin në fushat që ekspertiza nuk është e disponueshme në Kosovë, siç janë: Qëndrueshmëria e klimës, mbrojtja dhe zhvillimi i burimeve ujore. Për t’i përmbushur këto sfida, duke siguruar qëndrueshmërinë e investimeve të bëra tashmë, zviceranët së fundmi ka lansuar një program të ri afatgjatë që përqendrohet në menaxhimin e burimeve ujore në Kosovë. Zvicra do të vazhdojë mbështetjen e saj në këtë fushë në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe palët e tjera të interesit. Projekte të tjera tashmë janë në proces.

     90% ka arritur qasja në ujë të pijshëm

    Sa kohë dhe sa investime nevojiten që secili vendbanim në Kosovë të lidhet me rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit?

    Brown: Kjo është një pyetje shumë e madhe. Mbulimi i furnizimit me ujë (qasja në furnizime) aktualisht është në 90%+ dhe me bashkëpunimin e vazhdueshëm të Kompanive Regjionale të Ujësjellësit (KRU), Qeverisë dhe Komunave, 10% e mbetur mund të sigurohet brenda disa vitesh. Po punohet shumë për të siguruar trajtimin e ujërave të ndotura në disa qytete. Por, do të duhet të bëhet më shumë. Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, të cilat Kosova i ka miratuar, kërkojnë qasje universale në furnizimin me ujë dhe në rrjetin e kanalizimit deri në vitin 2030, dhe kjo mund të arrihet nga Kosova nëse vendosen dhe zbatohen plane të mira strategjike.

    Përveç investimeve nga Qeveria e Zvicrës, a kanë kontribuar edhe Komunat dhe Qeveria e Kosovës në realizimin e projekteve?

     Brown: Ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm midis komuniteteve, Komunave dhe Qeverisë qendrore gjatë gjithë programit. Për shembull, në fazën aktuale të Programit, Qeveria e Kosovës ka siguruar 10 milion euro për të mbështetur zhvillimin e sektorit. Ndërsa në fazat fillestare të Programit, komunitetet u angazhuan, duke ofruar mbështetje financiare dhe fizike për të bërë të mundur përfundimin e projekteve. Ndërsa shkalla e projekteve u rrit, Komunat ofruan mbështetje financiare dhe së fundmi Qeveria qendrore ka vënë në dispozicion financime në shkallë të gjerë.

    Qeveria e Kosovës ka shpenzuar shuma të mëdha të buxhetit për infrastrukturën rrugore, por jo për infrastrukturën ujore. A duhet të ndryshojë kjo logjikë e investimeve në Kosovë?

     Brown: Qeveritë duhet të bëjnë zgjedhje të vështira, bazuar në nevojat e qytetarëve, përfshirë zhvillimin ekonomik dhe shëndetin publik. Qeveria e Kosovës ka siguruar fonde të konsiderueshme për sektorin e ujit, përmes bashkëfinancimit të saj në Programin Rural për Mbështetjen e Ujit dhe Kanalizimeve, dhe ne u jemi mirënjohës për këtë bashkëpunim të shkëlqyeshëm. 

    Sipas përvojës suaj, si qëndron Kosova në raport me vendet e rajonit për sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm dhe rrjetit të kanalizimit?

    Brown: Kosova ka pasur mbështetje të fortë në sektorin e ujit nga disa donatorë dypalësh gjatë 20 viteve të fundit dhe kjo ka siguruar një sistem të fortë dhe elastik të furnizimit me ujë. Të jesh më mirë ose më keq se vendet e tjera nuk është objektivi. Për këtë vend, ne duhet të jemi më mirë këtë vit sesa që ishim vitin e kaluar, dhe madje të jemi edhe më mirë vitin e ardhshëm. Struktura e qeverisjes së sektorit njeh sfidat me të cilat do të përballet vendi në vitet e ardhshme dhe besoj se me vullnet të fortë politik për të adresuar këto sfida, furnizimi me ujë dhe shërbimet e kanalizimit do të vazhdojnë të përmirësohen.

    Disa fshatra të regjionit të Mitrovicës s’kishin ujë të pijshëm, miliona euro investuan zviceranët

    Banorë të disa zonave rurale në Komunat e Skënderajt, Vushtrrisë dhe Mitrovicës për një kohë të gjatë nuk furnizoheshin fare me ujë të pijshëm. Por, me ndihmën financiare të donatorëve ndërkombëtar, në veçanti Qeverisë së Zvicrës nëpërmjet DORSCH dhe CDI-së, është ndërtuar dhe zgjeruar rrjeti i ujësjellësit në këtë regjion të Kosovës. Kështu ka theksuar në një intervistë Xhevat Smajli, koordinator i projekteve në kompaninë rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”. Smajli ka bërë të ditur se me ndihmën e Qeverisë  zvicerane nga partneri implemetues “DORSCH” dhe “CDI” është bërë rehabilitimi i sistemeve rurale të ujësjellësit në Kompaninë Regjionale të Ujësjellësit “Mitrovica”, për fshatrat e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përkatësisht fshatrat Koshtovë, Lipë, Bajska, Frashër, Pantinë dhe Smrekonicë.
    Ky projekt, sipas tij, ka kushtuar mbi 186 mijë euro dhe është implementuar gjatë viteve 2017/18.

    Projektet e realizuara nëpërmjet Partnerit Implementues DORSCH dhe CDI-së

    Kontributi i Qeverisë së Zvicrës për regjionin e Mitrovicës në sigurimin e ujit të pijshëm nuk ka përfunduar vetëm me këtë projekt. Gjatë vitit 2017 po ashtu është bërë rehabilitimi i sistemeve rurale të Ujësjellësit në KRU Mitrovicë për fshatrat e Komunës se Skenderajt, përkatësisht fshatrat Çitak, Kosterc, Leçin, Mikushnicë, Padalisht, Runik dhe Vitak.
    Ky projekt, pranimi teknik i së cilit ka ndodhur më 17 tetor 2017, ka pasur vlerën e përgjithshme financiare prej 254.435 euro.  

    Përpos investimeve në zonat rurale, në vitin 2019 ka filluar edhe rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit në zonën urbane në Mitrovicë (Zhabar), ku punimet tashmë kanë përfunduar, dhe ujesjellesi eshte future ne funksion.

    Një projekt edhe më i madh, me vlerë prej rreth 1.4 milionë euro, është ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit me gjatësi prej 140 kilometrash për furnizim me ujë të pijes në dymbëdhjetë fshatrat e Komunës së Skenderajt si: Qubrel, Kllodernic, Kopiliç, Kopiliç i Poshtëm, Kosterc, Rakinicë, Tushilë, Turiçevc, Vojnik dhe Kernicë, të cilat fshatra kanë rreth 10 mijë banorë. Koordinator i projekteve në kompaninë rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Xhevat Smajli, ka bërë të ditur se ky projekt është perfunduar edhe është funksional në sherbim te bani=oreve te këtyre fshatrave .

    . Zyrtari i lartë i Ujësjellësit “Mitrovica” thotë se banorët lokal janë shumë të kënaqur me këto investime.

     Investimet rritën numrin e konsumatorëve

    Falë këtyre investimeve Smajli thotë se KRU “Mitrovica” ka pasur rritje të konsumatorëve. “Në qershor të 2017 kemi pasur 28759 konsumatorë ndërsa sot kemi 36602 konsumatorë”, ka bërë të ditur ai. Përkundër rritjes së numrit të konsumatorëve për rreth 30% në tri vitet e fundit, nga 28759 konsumatorë në vitin 2017 në 36602 konsumatorë në vitin 2020, Smajli ankohet për shkalë të ulët të pagesës së shërbimeve të tyre. “Në muajin qershor të këtij viti kanë qenë gjithsej 8793 fatura të paguara”, shprehet Smajli.

    Projektet e CDI-së që lehtësuan jetën e banorëve në komunën e Ferizajt

    Më shumë se 18 mijë banorë të komunës së Ferizajt, tash kanë ujë të pijes nëpër shtëpitë e tyre falë investimeve të Qeverisë së Zvicrres nepermjet DORSCH dhe CDI-së. Zyrtarë të komunës së Ferizajt thonë se para bashkëpunimit me CDI-në gjendja në zonat rurale ka qenë e vështirë, derisa gjendja e tanishme në këtë komunë është krejtësisht tjetër.

    Dikur gjendja e furnizimit më ujë në komunën e Ferizajt ishte e vështirë, derisa aktualisht uji i pijes është thuajse nëpër shtëpitë e gjithë banoreve të kësaj komune. Investimet e Qeveisë së Zvicrres n♪7permjet DORSCH dhe CDI-së në këtë komunë kanë lehtësuar tej mase jetën e banoreve. “Para bashkëpunimit me CDI-në, po flasim deri në vitin 2005 gjendja në zonat rurale ka qenë e vështirë” thonë zyrtarë të kësaj komune. Sipas tyre, prej 44 fshatrave që ka aktualisht komuna e Ferizajt, me ujë të pijes kanë qenë të furnizuara plotësisht apo pjesërisht vetëm 13 prej tyre. “Aktualisht pa ujë të pijes në Komunën e Ferizajt janë vetëm 6 fshatra. Në tre prej tyre: Sojevë, Dardani dhe Zllatar, është duke u zhvilluar ekzekutimi i projektit të furnizimit me ujë dhe pritet të përfundoj deri në fund të vitit 2021. Fshati Burrnik që ende nuk ka sistem për furnizim me ujë për shkak të numrit shumë të vogël të banoreve që jetojnë atje dhe të cilët kanë vetëm zgjidhje individuale”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të kësaj komune. Sipas tyre, investimet Qeveris së Zvicrres nepermjet  e CDI-së në komunën e Ferizajt janë realizuar në pesë faza.

    Pesë fshatra përfituan në fazën e parë

    Zyrtarë të komunës së Ferizajt thonë se në këtë fazë që mund të quhet faza më e suksesshme dhe që ka lehtësuar jetën e banoreve, kanë qenë 4 projekte që kanë përfshirë 5 fshatra. Tri prej të cilave si projekti i Varoshit, projekti i Muhovcit dhe ai i Mirashit janë përfunduar me kohë dhe kanë bërë zgjidhje për banorët, ndërsa projektit i katërt për furnizim me ujë të pijes të fshatrave Pojatë dhe Softaj është vonuar dhe ka pasur probleme me kualitetin e ujit. Sipas zyrtareve komunalë, në këtë fazë CDI-ja ka zhvilluar dy projekte për furnizim me ujë te pijes. Projektin e fshatit Komogllavë dhe projektin për fshatrat Rahovicë dhe Mirosalë. Po ashtu më fazën e tretë janë zhvilluar këto projekte për fshatrat Greme dhe Rakaj, si dhe projekti i ujësjellësit për fshatrat Papaz, Sazli, Prelez i Muhaxherëve dhe Prelez i Jerlive, projekt i cili nuk është përfunduar në tërësi nga CDI-ja.

    Projektet e fazës së katërt dhe pestë

    Më tutje zyrtarë të komunës së Ferizajt thonë se në fazën e katërt është realizuar projekti për ujësjellësin e fshatit Dremjak që ka përfshirë rreth 70% të fshatit dhe që ka zgjidhur problemin. Po ashtu, në këtë fazë ka qenë edhe projekti i stacionit të pompimit dhe rrjetit sekondar për fshatrat: Kosinë, Loshkobare, Slivovë, Koshare dhe Tërrn. “Ky projekte ka lehtësuar jetën e qytetarëve por nuk e ka zgjidhur në tërësi problemin pasi mungon sasia e ujit si dhe kualiteti”, thonë zyrtarë të kësaj komune. Gjithashtu edhe në fazën e pestë sipas tyre ka qenë e planifikuar të behet rehabilitimi i sistemeve për furnizim me ujë të pijshëm në shumicën e zonave  rurale, ku deri më tash është shtrirë gypsjellësi prej stacionit të pompimit në Kosinë deri në rezervuar, me vëllim V-1000m³.

    Në vitin 2022 të gjitha shtëpitë më ujë të pijes

     Zyrtarë të komunës së Ferizajt më tujë bëjnë të ditur se në vitin 2022 pritet të përmbyllen të gjitha projektet për ujë të pijes për banorët e komunës së Ferizajt.Për momentin pa ujë të pijes janë 6 fshatra, fshatrat Greme dhe Rakaj që nuk është përfunduar projekti; fshatrat Sojevë, Dardani dhe Zllatar që këtë vit ka filluar projekti për furnizimin me ujë për to; fshati Burrnik që nuk ka fare ujësjellës kolektiv. Në një pjesë të zonave rurale, sidomos në ato zona që kanë qenë të përfshira në fazën e pestë të investimeve, kanë mbetur po ato probleme qw kanë qenë edhe më herët; me probleme teknike, probleme të sasisë dhe të kualitetit të ujit. Sipas të gjitha parashikimeve, viti 2022 i jep fund sistemeve për furnizim me ujë të pijes për të gjithë banorët e komunës së Ferizajt e më pas mbetet të punohet në shtimin e sasisë së ujit”, thuhet në fund të përgjigjes së zyrës për media të komunës së Ferizajt.

    Qeveria e Zvicrës, donatori kryesor në rrjetin e ujësjellësit në Anamoravë

    Banorët e rajonit të Anamoravës për një kohë të gjatë janë ballafaquar me mungesë të ujit të pijshëm. Si pasojë e të reshurave jo të mjaftueshme në dy dekadat e fundit është dashur të mendohet në rritjen e kapaciteteve për prodhimin e ujit të pijshëm, si dhe ndërtimin e impiantëve për trajtimin e ujërave të zeza. Shumica e këtyre investimeve janë realizuar falë ndihmës së donatorëve ndërkombëtar, posaçërisht qeverisë zvicerane, e cila ka qenë e fokusuar me investime të tilla në këtë rajon, duke ua mundësuar qytetarëve qasjen në ujë të pijshëm dhe njëkohësisht në trajtimin e ujërave të zeza. Muhamed Suliqi, kryeshef ekzekutiv i Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Hidromorava” në Gjilan, ka theksuar se Komuna e Gjilanit gjatë 20-viteve të fundit ka mungesë të ujit të pijshëm, për shkak siç ka thënë ai, të reshurave jo të mjaftueshme atmosferike. Sipas tij, me këto burime ujore që kemi në dispozicion ka qenë i pamundur furnizimi i qytetarëve me ujë pandërprerë (24/7).

    Investimet në rrjetin e ujësjellësit dhe rritjen e kapaciteteve të ujit

    Sipas Suliqit, në Komunën e Gjilanit janë bërë investime në rrjetin e ujësjellësit dhe rritjen e kapaciteteve të burimit të ujit pikërisht në puse për shkak të thatësirës. “Nga viti 2000 kanë ndodhur vazhdimisht investime nga Komuna e Gjilanit dhe nga donatorët e ndryshëm, ku donator kryesor ka qenë Qeveria Zvicerane”, ka theksuar kryeshefi i “Hidromoravës”. Ai ka shtuar se investimet e tilla kanë ndodhur në rehabilitimin e fabrikave të ujit në Gjilan, Kamenicë dhe Viti, rehabilitimin e rrjetave të Ujësjellësit, ndërtimi i rezervuarëve të ujit. Po ashtu, janë bërë studime dhe hulumtime për rritjen e kapaciteteve të ujit në zonën e shërbimit. “Investime janë bërë në zvogëlimin e humbjeve të ujit në zona të ndryshme urbane dhe rurale në pesë komunat e këtij rajoni si: Gjilani, Vitia, Kamenica, Novobërda dhe Ranillugu”, ka pohuar Suliqi.

    Nga investimet përfituan të gjitha komunitetet

    Pas këtyre investimeve të bëra nga buxheti i Kosovës dhe donatorët ndërkombëtar banorët e Anamoravës nuk e shfrytëzojnë për pije ujin e puseve, siç ka ndodhur më herët. “Në disa zona rurale mund të përdoret uji i puseve për pije, por kjo shifër është shumë e ulët. Besoj se edhe në të ardhmen do të vazhdojë të investohet në burimet e ujit, rrjet të ujësjellësit”.  Përpos komunitetit shumicë, shqiptarëve, nga investimet e tilla kanë përfituar edhe komunitetet pakicë në Komunën e Gjilanit, Vitisë, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit dhe Kllokotit, thotë kryeshefi i “Hidromoravës”.

    Hidromorava” i ka 33 mijë konsumatorë

    Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Hidromorava” ka gjithsej rreth 33 mijë konsumatorë, përderisa pagesa e faturave të ujit është 3fish më e ulët. “Numri  i përgjithshëm i konsumatorëve është 32,563, 30 deri 33%. Pra, përqindja e konsumatorëve që i paguajnë rregullisht faturat e ujit është e ulët, ndërsa një numër i konsumatorëve i paguajnë shërbimet tona çdo dy muaj”, ka thënë kryeshefi i “Hidromoravës”.

    Uji po vjen në 9 fshatra të Lipjanit, në vitin 2021!

    Iu desh të bëjë disa hapa deri te dyert e oborrit të tij. E ata janë pak ose hiç gjë.
    Sami Zeqirit i bie të bëjë kilometra kur ai vetë dhe familja e tij mbesin pa ujë të pijshëm. E kjo ndodhë jo pak herë. Gjithmonë. Sasitë që i duhen i gjen në Pleshinë.
    Si argument për pastërtinë e këtij uji e përdorë një detaj interesant.

    “Është i pastër sepse del prej kodre”, thotë ai. Kurrfarë “analize” tjetër e pranon se nuk i kanë bërë. “Kurrë s`e kemi kqyrë”, i ra trup përgjigjes pas pyetjes së parashtruar. Udha për atje bacës i bëhet obligim shkaku se uji në bunarin e shtëpisë së tij në Hallaç të Madh të Lipjanit e përdorë veç për bagëti e higjienë. E edhe më kur kësaj i shtohet fakti se as ai e as bashkëfshatarët e tij nuk janë të kyçur akoma në sistemin e Ujësjellësit.

    Telashja e madhe po merr fund. Sidoqoftë, “gajla” e ujit të “paqtë” e “zahmeti” i udhëtimit, Samiut të shtyrë në moshë, do t`i hiqet qafe njëherë e mirë, edhe atë shpejt. Atij dhe banorëve të tjerë Hallaças, që përballen po ashtu me një situatë të ngjashme, këtë burim natyror – thelbësor për jetesë, do t`ua sjell në prag të shtëpive një investim i Qeverisë Zvicerane. Kjo e fundit është vetëm financuese, teksa punimet  për shtrirjen e sistemit të ujësjellësit në këtë zonë po i kryen një kompani kosovare. Punëtorët e kësaj të fundit tash e ca ditë, m`u për këtë arsye paraqiten para shtëpisë së bacës Sami. Falënderimet për këta “jabanxhinj” ky i ka më bollëk. “Projekti i ri i mirë shumë”, është fraza që Zeqiri e përdori më së shumti gjatë bisedës. Fshati i tij ku edhe po realizohet investimi është nja 30 minuta larg prej Prishtinës po qe se rruga përshkohet me veturë. “Me ujë të pijës jemi furnizu për kiameti. Kena përdor ujë të puseve dhe bunareve personale. Nuk jena të kyçur në Ujësjellës. Po mendojnë tash me na lidh. Kemi bërë kërkesë më herët prej komunës. Nuk kanë ardhë. Ujin prej puseve e përdorim për lopë e sanitari. Për pije jo. Përpara e kemi pi ujin e bunarit. Nuk ka qenë i klorizum. Tash jo. E bajna prej Kleshine”, tha axha që të mërkurën e 9 dhjetorit e kaloi “mbi krye” të punëtorëve.

    Plus 8 zona rurale më tepër – ujë për të gjithë, jo veç shqiptarët

    Megjithatë, jo vetëm Hallaçi. Janë edhe disa rrethina tjera të Lipjanit si, Ribari i Madh, Ribari i Vogël, Bregu i Zi, Bujani, Kraishta, Gracka e Vogël, Topliqani dhe Zllakuqani, ato të cilat kanë po të njëjtin dert e që do të jenë përfituese të projektit zviceran. Këtë e konfirmoi drejtori i njësisë së Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” në Lipjan, Ilmi Bublica. Sipas tij, uji aktual që konsumon Samiu i Hallaçit e të tjerët në zonat e lartpërmendura nuk i plotëson fare kriteret. “Deri tash janë furnizuar prej puseve të veta inviduale. Nuk e dinë se çfarë uji pinë. S`i plotëson kriteret. Tash ka filluar ky projekti i  DORSCH dhe CDI-së. Banorët po e presin me padurim”, tregoi ai.
    Të mirat e kësaj nisme nuk do t`i “thithin” vetëm shqiptarët. “Kyçje në ujësjellës do t`u bëhet edhe disa banorëve serbë që jetojnë në Grackë të Vjetër”, thotë Huruglica.

    Gjithçka me “këmbë të hajrit”

    Rregullimi i projektit ka nisur në mesin e 2020-s e pritet të marrë fund po ashtu kah mesi i vitit të 2022. Atë po e mbikëqyrë Visar Mehmeti. Ky është inxhinier në kompaninë “Hidro Project”, e cila po realizon punimet. Thotë se gjithçka po ecën siç duhet deri tash. Ndërsa ka treguar më në detaje për projektin. “Ky projekt përfshin ndërtimin e një stacioni pompimi me një rezervar akumulues prej 75 m kub, një rezervar akumulues me vëllim prej 1 mijë m kub si dhe rrjetin shpërndarës prej 65 km. Këtu jemi në stacionin e pompave.  Realisht do të vendosën tri pompa, dy aktive, njëra rezervë”, tha Mehmeti teksa mbante në dorë dosjen e punishteve.

    Investimet për ujë në fshatrat e Lipjanit

    Investimet në fazën e parë në komunën e Lipjanit përfshijnë ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Puturoc, Torinë, Dobrajë e Madhe, Lugë, Gllanicë, Vrellë e Goleshit Medvec. Derisa në fazën e dytë janë përfshirë fshatrat Hallaç i Madh, Topliqan, Grackë e Vogël, Bujan, Bregu i zi, Kraishtë, Ribar i Madh, Ribar i Vogël  dhe Zllokuqan.

     

    Mbi pesëmbëdhjetë fshatra të komunës së Lipjanit do të kenë ujë të pijes nëpër shtëpitë e tyre falë investimeve të Qeverisë së Zvicrrës dhe asaj të Kosovës nëpermjet DORSCH dhe  që CDI-ja ka bërë dhe po bën në këtë komunë. Zyrtarë të kësaj komune kanë bërë të ditur se projektet e implementuara nga DORSCH dhe  CDI në komunën e Lipjanit si përfituese kanë qenë në dy faza. Sipas tyre, në fazën e parë kanë qenë të përfshirë fshati Puturoc, ku është ndërtuar linja e ujit deri në hyrje të rrjetit shpërndarës, fshati Torinë, linja e ujit deri në hyrje të rrjetit shpërndarës, në fshatin Dobrajë e Madhe dhe Gllanicë është bërë instalimi i rrjetit, në fshatin Dobrajë e Madhe dhe Lugë është bërë instalimi i rrjetit, në fshatin Vrellë e Goleshit është bërë ndërtimi i linjës së ujit deri në hyrje të rrjetit shpërndarës, si dhe në fshatin Medvec është bërë linja e ujit deri në hyrje të rrjetit shpërndarës. “Projekti në fazën e parë ka përfshirë ndërtimin e stacionit të pompave në puset ekzistuese në burimet e fshatit Vrellë e Goleshit, renovimin dhe funksionalizimin e rezervuarit, instalimin e rrjetit të ri në 4 fshatra, furnizimin e fshatrave që e kanë pasur të instaluar rrjetin e ujësjellësit”, thuhet në përgjigjen e zyrës së kryetarit të komunës së Lipjanit Imri Ahmeti.

    Projektet e fazës së dytë

    Më tutje, zyrtarë të zyrës për media të komunës së Lipjanit bëjnë të ditur se në fazën e dytë investimet janë duke u realizuar, ku përfshihen fshatrat: Hallaç i Madh, Topliqan, Grackë e Vogël, Bujan, Bregu i Zi, Kraishtë, Ribar i Madh, Ribar i Vogël si dhe Zllokuqan. “Sistemi i furnizimit me ujë në fshatrat e sipërpërmendura është inekzistent dhe për këtë arsye, nevojitet projektimi dhe ndërtim i sistemit dhe rrjeteve shpërndarëse të reja, për të siguruar furnizimin me ujë. Sistemi i furnizimit me ujë të fshatrave të komunës së Lipjanit është sistem me vetërrjedhje nga rezervuari në rrjetet shpërndarëse të fshatrave të sipërpërmendura dhe është parashikuar të jetë me ngritje mekanike vetëm linja e jashtme nga burimi deri tek rezervuari”, thuhet në përgjigjen e tyre. Aty më tutje thuhet se sistemi i furnizimit me ujë në këto fshatra është konceptuar i tillë që, pavarësisht numrit të fshatrave, rrjeti shpërndarës të konsiderohet si një i vetëm, i ndarë në pjesë të vogla të cilat punojnë në mënyrë autonome nga njëra tjetra, dhe ky rrjet shpërndarës të furnizohet dhe të plotësohet me prurjen e kërkuar të ujit, edhe nga rezervuari rregullues i sistemit. Sipas tyre, më konkretisht sistemi i paraqitur deri tani përbëhet nga pjesët si më poshtë:

    – Linja e jashtme , e cila do të jetë me ngritje mekanike, do të montohet me tubacione PE 100, të klasave apo kategorive të presionit, PN 16 bar dhe PN 10 bar, duke filluar nga STP pranë fshatit Hallaç i Madh e deri tek rezervuari mbi fshatin Kraishtë. “Do të ketë dy impiante me ngritje mekanike (ose STP), ku STP – 1 do të ndërtohet pranë pusit të ujit dhe do të ketë grupin e presionit me parametrat hidraulikë. Në dalje të grupit të presionit do të vendoset edhe një valvolë prerjeje e presionit e cila do të ruajë grupin dhe linjën e jashtme nga grushti hidraulik. STP – 2 do të ndërtohet në dalje të fshatit Kraishtë, në drejtimin e kodrës ku ndodhet rezervuari dhe do të ketë grupin e presionit me parametrat hidraulikë. Linja e jashtme është projektuar duke pasur parasysh që grupet e presionit do të jenë me nisje të butë (soft starter) apo edhe me ndryshues shpejtësie (inverter).

    – Rezervuari rregullues, i cili është i pozicionuar në hyrje të rrjetit shpërndarës dhe është parashikuar të jetë një për të gjitha fshatrat. Rezervuari do të vendoset në kodrën mbi fshatin Kraishtë. Rezervuari ka vëllimin 1000 m³, ku përfshihen, vëllimi i rregullimit, i avarisë dhe i shuarjes së zjarrit.

    – Rrjeti shpërndarës i fshatrave është konsideruar si një i vetëm (furnizohet nga një rezervuar), por i ndarë në pjesë, të cilat punojnë në mënyrë autonome nga njëra tjetra. Kjo do të thotë që rrjeti shpërndarës përbëhet nga disa tubacione kryesore, të cilat fillojnë te rezervuari dhe trasohen deri te fshati më i largët, por kryesisht pa hyrë brenda fshatit (me përjashtim të fshatrave Hallaç i Madh dhe Ribar i Vogël, linjat e furnizimit të të cilave kalojnë në rrjetet shpërndarëse, respektivisht të Kraishtës dhe Ribarit të Madh). Pjesët e rrjetit të cilat i shërbejnë çdo fshati, marrin ujë nga këto tubacione kryesore me lidhje të veçanta nga njëri tjetri. Pra çdo fshat ka pikën e vet të lidhjes dhe tubacionet kryesore përgjithësisht nuk janë pjesë e rrjetit shpërndarës të brendshëm të çdo fshati. Pjesët e rrjeteve të secilit nga fshatrat lidhen me një ose dy pika me tubacionin përkatës kryesor, në të cilat do të vendosen aparate ujëmatëse dhe në disa raste edhe reduktorë presioni në hyrje të tyre.

    Tubacione 10 dhe 16 bar

    Sipas zyrtarëve komunalë, linja kryesore do të ketë tubacione të kategorisë së presioneve PN 10 bar dhe PN 16 bar. Linja kryesore do të ketë disa pika shkarkimi dhe ajrues, të cilat do të shërbejnë për shkarkimin në rast difekti apo punimesh për mirëmbajtje dhe për nxjerrjen e ajrit. Gjithashtu, pusetat e lidhjes së rrjeteve të brendshme të fshatrave me tubacionin përkatës kryesor, do të shërbejnë edhe si puseta manovrimi. Janë parashikuar të vendosen edhe puseta ndarëse të linjës kryesore, e cila do të shërbejë për kufizimin dhe moszbrazjen e krejt linjës kur hapet ndonjë prej pusetave të shkarkimit. Rrjeti shpërndarës përbëhet nga: tubacionet, të cilat janë me material PE100 të kategorisë PN 10 bar (diametrat si në vizatime); nga saraçineskat e manovrimit, të cilat do të vendosen në pusetat e manovrimit; nga reduktorët e presionit, si dhe nga pusetat prej b/a të manovrimit, të cilat do të vendosen në degëzimet kryesore (kur tubacionet kanë diametrat Dj 90 mm e sipër). Në rastet e degëzimeve me diametra më të vegjël se Dj 75 mm, do të vendosen saraçineska me aks vertikal (spindle axis). Gjithashtu në hyrje apo në qendër (pozicioni i skatë do të caktohet nga përfituesi apo ofruesi i shërbimit të furnizimit me ujë) të çdo fshati është parashikuar vendosja e një hidranti zjarri me DN 80 mm, me dy gryka marrjeje uji DN 80 mm, i cili do të shërbejë për mbushjen e makinës zjarrfikëse në rast zjarri në ndonjë prej fshatrave. Hidranti mund të jetë nëntokësor ose mbitokësor (ky i fundit duhet të jetë me çelës ose mbyllës, që kufizon ujin duke e mbajtur nën nivelin e tokës, për të shmangur ngrirjen e tij dhe daljen jashtë funksioni të hidrantit. “Numri i banoreve që do të përfitojn nga investimet nga Cdi në dy fazat është rreth 15,000. Sigurisht, investimet nga Cdi janë të rëndesishme për Komunën e Lipjanit”, thuhet në përgjigjien e komunës së Lipjanit.

    Suharekasit bëhen me ujë të pijshëm

    Distanca mes tyre është afërsisht 45 kilometra. Edhe ajo kohore e përkthyer në minuta gati po kaq. Por ka diçka që i ka bërë bashkë Lipjanin dhe Suharekën. Fshatrat e të dyja komunave janë përzgjedhur nga qeveria zvicerane si vende për investim në rrjetin e ujësjellësit. Derisa në zonat rurale të Lipjanit, projekti i qeverisë zvicerane ka nisur të marrë formë, në ato të Suharekës, ai veçse është finalizuar.

    Shembull është Reçani. 1500 suharekasve të këtushëm u është bërë zgjidhje sa i përket furnizimit me ujë të pijes. Pavarësisht kësaj ata ende i kanë të freskëta problemet e së kaluarës.
    Kryetari i fshatit Ibrahim Veselaj kujton kohën kur u është dashur të gjejnë alternativa të ndryshme për konsumin e kësaj lënde ushqyese për trupin. Si zgjidhje për pije, vaditje e çka jo, një herë e një vakt i patën konsideruar lumenjtë e fshatit. E krahas tyre edhe bunarët. Bile edhe kur këto burime nuk ishin të klorizuara: “Ujin e lumenjve e kemi shfrytëzuar për ujitje e për tana. Sot po dihet si po funksionojnë kanalizimi e këto senet tjera. Më herët kemi mujt edhe nëpër kroje me pi. Na jemi furnizuar edhe me puseta, mirëpo tash në dekadën e fundit ato kanë shterrë. I kemi përdorë për pije, s`kemi pas tjetër. Kush ka mujt me ba klorizim. Kemi pi qashtu qysh kemi pi. Na ka rujt Zoti”, tregon reçanasi për Front Online.

    “Na jo, e disa banorë në rrethinë po – u sëmurën nga uji i papastër”

    Për bashkëfshatarët e tij jo. Mirëpo, Veselaj e pranon të ketë dëgjuar për raste të sëmundjeve që u janë shfaqur banorëve në rrethinë si pasojë e ujit të papastër. Kur e merr parasysh këtë dhe problemet e tjera, projekti i DORSCH dhe CDI-së, që shtriu rrjetin e ujësjellësit në hapësirën ku jeton, atij po i duket jetik për jetesën e vet dhe të tjerëve përreth: “Projekt shumë i qëlluar. Kemi pasur nevojë për arsye se në fshatin tonë ka dikund 1500 banorë, mirëpo, gjithmonë kemi pasur nevojë për ujë. Me realizimin e tij do të ujë të mirë e të bollshëm. Ta gëzojmë”, u shpreh ai.

    40% e suharekasëve ende pa rrjet të ujësjellësit

    Kërkesën që u është jetësuar tani, këta fshatarë ua kishin paraqitur më herët edhe autoriteteve lokale suharekase. Këto të fundit ani pse e morën parasysh nuk është se mundën të bëjnë diçka. Problem u bë mosgjetja e lokacionit prej nga buron uji.

    Pavarësisht se nuk ia dolën ta bëjnë vetë në njësinë e Kompanisë së Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Suharekë, ndihen të lumtur me projektin e ri zviceran, i cili pos Reçanit, parasheh të furnizojë me ujë të pijshëm edhe të dy fshatra të tjerë, Neperbishtin dhe Maqitevën.

    Projekti ka filluar para një viti. Punimet kanë  përfunduar. Me to do të shërbehen qytetarët. Këta janë furnizuar me ujë në baza individuale. Ashtu siç kanë mundur. Me realizimin e këtij projekti gjendja është dukshëm më e mirë. Në fshatin Maqitevë  u lëshu uji”, thonë në “Hidroregjionin Jugor”, njësia Suharekë.

    Megjithëkëtë, pavarësisht këtij investimi afër 450 mijë eurosh, mbetet akoma shumë për t`u bërë. Ismet Kurtishi, drejtor në njësinë e “Hidroregjionit Jugor” në Suharekë, tregon se 40 % e suharekasve ende nuk janë lidhur në sistemin e tyre. “Dikund rreth 60 % e suharekasve janë kyçur në rrjetin e ujësjellësit. Na kanë mbet disa fshatra më periferike në rajonet në bjeshkë”, u shpreh Kurtishi.

    CDI-ja ua solli ujin mbi 40 mijë qytetarëve të komunës së Gjakovës

     Më shumë se 40 mijë qytetarë të Gjakovës janë bërë më ujë të pijes falë investimeve të Qeverisë së Zvicrrës  në këtë komunë. Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se DORSCH dhe CDI-ja si njëri ndër investitorët më seriozë ka arritur dukshëm që të lehtësojë punën e komunës duke zgjidhur problemin me ujë të pijes për një pjesë të madhe të banorëve të saj.

    Investimet e bëra ndër vite nga Qeveria Zvicrrane nepermjet Dorsch dhe CDI-ja në komunën e Gjakovës kanë siguruar ujin e pijes për mbi 40 mijë banore të kësaj komune. Në të kaluarën komuna e Gjakovës është përballur me vështirësi të shumta në furnizim me ujë të pijes, ndërsa në ditët e sotme thuajse e gjitha komuna, por edhe fshatrat e saj, janë të kyçura në rrjetin e ujësjellësit. Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka thënë në të kaluarën ka pasur probleme të theksuara të furnizimit me ujë të pijes, sidomos në pjesët rurale të saj. “Fatmirësisht kjo gjendje sot është e ndryshuar dhe 99% e komunës ka rrjet të ujësjellësit. Nga 89 fshatra, pjesa urbane dhe periferike e qytetit, vetëm një fshat ka mbetur pa furnizim të rregullt me ujë të pijshëm, që është fshati Gërçinë, e që ne si komunë e kemi paraparë të ndërhyjmë gjatë vitit  të ardhshëm kalendarik”, ka thënë kryetari Gjini.

     Qeveria e Zvicrrës nepermjet Partnerit Implementues DORSCH dhe CDI, njëri ndër investitorët më serioz

    Më tutje kryetari Gjini ka thënë se Projekti I DORSCH dhe CDI-ja si njëri ndër investitorët më serioz ka arritur dukshëm që ta lehtësojë punën e komunës, duke zgjidhur problemin e furnizimit me ujë të pijes për një pjesë të madhe të komunës. “Nga marrëveshja e bashkëpunimit që kemi realizuar para katër (4) vjetësh, DORSCH dhe  CDI ka ndihmuar duke u financuar  prej Qeverisë së Zvicrrës dhe asaj të Kosovës shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në fshatrat e Dushkajës si në Hereç, Dujakë, Firaj e Planqor, si dhe në fshatrat e Rekës së Keqe e Luginës së Carragojës me sa vijon: Ponoshec, Shishman, Babaj i Bokës, Stubëll, Popoc, Smolicë, Nec, Ramoc, Nivokaz, Pacaj, Sheremet, Dallashaj, Rracaj, Madanaj, Rrypaj, Dobrosh, Duzhnje, Korenicë, Guskë, Devë, Vogovë dhe Zhub. I gjithë investimi është bërë nga mbështetja që ka ofruar DORSCH dhe CDI me një bashkëfinancim simbolik të komunës së Gjakovës”, ka thënë më tutje ai.

    Furnizimi më ujë 24 orë pandërprerje

    Kryetari Gjini më tutje ka bërë të ditur se nga investimet në rrjetin e ujësjellësit në komunën e Gjakovës, nga DORSCH dhe  CDI-ja, kanë përfituar mbi dyzet mijë banorë të kësaj komune, që është numër dukshëm i madh. Sipas tij, aktualisht komuna e Gjakovës ka shtrirje të rrjetit të ujësjellësit në gjithë territorin e saj dhe furnizimi me ujë bëhet 24 orë në ditë. “Fatmirësisht me investimin në fshatin Gërçinë përfundon shtrirja e rrjetit dhe furnizimi më ujë të pijes në komunën e Gjakovës. Gjithçka është realizuar me ndihmën e donatorëve që gjithsesi ka ndikuar drejtpërdrejtë në lehtësimin e jetës së banorëve të Gjakovës”, ka thënë kryetari Gjini.

    Malishevasit një “gëllënkë” larg ujit të pijes

    “Bingo” i ra edhe një komune tjetër, Malishevës. Këtu në rrjetin e ujësjellësit u kyçën Temeqina dhe Janqishti. Si rrjedhojë, banorët e këtyre anëve nuk do ta ndiejnë më mungesën e ujit të pijshëm. Meritat për këtë i ka ekzekutivi zviceran. Gjithsesi, edhe një detaj ka mbetur për t`u finalizuar që më pas projekti të konsiderohet i kryer. “Presim edhe kyçjen elektrike ta bëjmë në KEDS. Projekti ka përfunduar. Është i standardeve të larta. I ka me sistem të klorizimit e me të gjitha. Sipas parashikimeve tona, besoj se do të ketë 24 orë ujë. Këto janë pritshmëritë”, rrëfeu inxhinieri Burim Jaha nga kompania “Alfa.i”, të cilës iu besuan punimet e rrjetit.

    Deri sa të rregullohet çështja e energjisë me KEDS-in, të dyja viset, ujin do t`u duhet ta sigurojnë nga alternativa të tjera. Bartja e ujit nga një pellg i mbushur me ujë dhe blerja e tij në markete janë dy prej tyre. Kryetari i Janqishtit, Ruzhdi Sopaj, deklaroi se ka kohë që veprojnë kështu: “E kemi pasur një burim në fshat. Por me kalimin e kohës nuk i ka plotësuar kërkesat shkaku i ndotjes. Deri në 2011 ishte i pastër. Sistemi i ujërave të zeza e prishi. Tash nuk e përdorim për asgjë. Detyrohemi me bartë prej një vendi tjetër ose me e ble ujin e pijes”, u shpreh ai.

    Banorët s`patën kushte

    Zgjidhjen thotë se tentuan të gjenin vet, por që mjetet vetanake që tubuan nuk ishin të mjaftueshme. E komuna, sipas tij, as që deshi të dëgjojë për këtë hall të tyre.
     “Synimi ka qenë që me ba gjithçka, por mundësitë tona financiare ishin të vogla. Komunarët as që na e kanë vu veshin”, tregon ai. Neglizhenca si kjo thotë se u manifestua në diçka tjetër. “Kemi pasur edhe infeksione të ndryshme si rezultat i ujit të papastër”, deklaroi Sopaj.

    Ka ende zona që presin për investim

    Me situatë të njëjtë mund të përballën edhe banorë të tjera fshatrave në Malishevë, meqë 20 % e tyre akoma nuk janë të kyçura në sistemin e ujësjellësit të këtij rajoni.“Malisheva ka 44 fshatra. Në sistemin e Ujësjellësit pritet të futen edhe 13 fshatra të reja. Me Janiçiqin dhe Temeqinën bëhen 15. Kështu me sistem të ujësjellësit do të bëhen 80 % e krejt fshatrave”, shprehet inxhinieri i Ujësjellësit në Malishevë, Burim Sopaj. Ndryshe, për 20 kilometra rrjet shpërndarës në dy këto zona u harxhuan pak më shumë se 250 mijë euro.

    Furnizimi me ujë në Kosovë

    Në vitin 2018 rreth 86.31 % e popullsisë së Kosovës është furnizuar me ujë nëpërmjet sistemit publik të menaxhuar nga Kompanitë Rajonale të Ujit, ndërsa 13.69% e popullsisë nuk ka pasur qasje në shërbimin e ujësjellësit publik. Këto statistika “burojnë” nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Uji si nevojë

    Uji si nevojë

    Uji është një nga substancat më të rëndësishme në tokë. Të gjitha bimët dhe kafshët duhet të kenë ujë për të mbijetuar. Nëse nuk do të kishte ujë nuk do të kishte jetë në tokë. Kështu thuhet në një publikim të Ministrisë së Shëndetësisë në Australi. Përveç që e pinë për të mbijetuar, njerëzit kanë shumë përdorime të tjera për ujin. Kjo përfshin: gatimin, larjen e trupave të tyre, larje të rrobave, larja e enëve të gatimit dhe ngrënies, mbajtja e shtëpive dhe komuniteteve të pastra, për pushim; siç janë pishinat dhe mbajtja gjallë e bimëve në kopshte dhe parqe etj.

    Infektologu kosovar: Uji i kontaminuar i pijes shkakton sëmundje

    Uji duhet të jetë pa mikrobe dhe kimikate. Vetëm si i tillë është i sigurt për t’u pirë e mund të quhet i pijshëm. Ndryshe, mikrobet dhe kimikatet që shkaktojnë sëmundje mund të gjejnë rrugën e tyre në furnizimet me ujë. Këtë e thotë infektologu kosovar Hamdi Ramadani. Simptomat siç thotë ai mund të jenë të shumta.

    “Kryesisht ekzistojnë sëmundjet aktule dierale. Nën një, mund të paraqitën dhimbje të barkut, si gërçe, simptoma e dytë, është paraqitja e të vjellurave, barkçitjet. Po ashtu paraqiten edhe temperatura ose ethe”, shpjegon doktori.

    Ani pse nuk e preferon, Ramadani nuk e sheh si rrezik të lartë përdorimin e ujit të kontaminuar për arsye sanitare. “Në këtë drejtim, nëse duhet të përdoret uji i kontaminuar për larje të enëve, minimumi rrallë që mund të paraqitet ndonjë infeksion. Edhe ajo nuk është gjë normale”, deklaron ai.

    Uji për trupin e njeriut

    Uji është një lëndë ushqyese thelbësore dhe luan një rol kryesor në trupin e njeriut. Ne mund të mbijetojmë deri në disa javë pa ushqim, por vetëm disa ditë pa ujë. Çdo sistem në trup, nga qelizat dhe indet, te organet vitale kërkon ujë për të funksionuar.

    Uji mbart lëndë ushqyese në të gjitha qelizat në trupin tonë dhe oksigjenin në trurin tonë

    Uji lejon trupin të thithë dhe asimilojë minerale, vitamina, aminoacide, glukozë dhe substanca të tjera

    Uji nxjerr jashtë toksinat dhe mbeturinat

    Uji ndihmon për të rregulluar temperaturën e trupit

    Uji vepron si lubrifikant për nyjet dhe muskujt.

    Të gjitha të dhënat e mësipërme janë të publikuara në uebfaqen e Federatës Evropiane të Ujërave në Shishe.

     

     

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme16 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica ka shkruar për tubimin madhështor të kësaj partie në Skenderaj të Drenicës. Reçica...
    Lajme16 Janar 2025
    Kandidat i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku e ka quajtur madhështor tubimin në Rahovec. “Entuziazëm, frymë, ringritje! Taksirati t’i rrisin britmat sonte”,...
    Lajme16 Janar 2025
    Disa persona po trajtohen nga ekipet mjekësore, kryesisht nga probleme të shkaktuara nga tymi si pasojë e zjarrit që kaploi një ndërtesë...
    Të tjera
    Lajme16 Janar 2025
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në kontakt me Dhomat e Specializuara që ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen...
    Kronika16 Janar 2025
    Një ndërtese te “Lesna” në Prishtinë është përfshirë nga zjarri. Në vendin e ngjarjes shihet autoambulanca, policia dhe ekipet tjera të nevojshme....
    Vip16 Janar 2025
    Driloni qe banori i parë i cili ka ndarë dhuratën e parë nga ‘Giveaway’ i organizuar nga Vëllai i Madh në shtëpinë...
    Vip16 Janar 2025
    Në kuadër të “Giveaway” të Big Brother VIP Kosova 3, Drenusha ka qëlluar në shenjë tek sponsori “Sana laser care” E përmes...
    Bota/Rajoni16 Janar 2025
    Franca zhvilloi stërvitje të fshehta për dislokimin e trupave në Ukrainë në rast të një sulmi nga Bjellorusia. Forcat speciale franceze realizuan...
    Bota/Rajoni16 Janar 2025
    Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri ka njoftuar se mbrëmjen e së mërkurës, një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza ka marrë evakuimin mjekësor...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.