Kanë përfunduar dy ndeshjet e xhiros së fundit në Grupin A të Kampionatit Evropian të futbollit.
Përfaqësuesja e Zvicrës ka shënuar fitore të madhe 3-1, por jo edhe e duhura ngase ende është buzë eliminimit nga “Euro2020”, raporton Demokracia.com.
Xherdan Shaqiri ishte protagonisti kryesor i “Helvetikëve” me dy super-gola të realizuar, ndërkohë golin tjetër e shënoi Seferovic.
Për Turqinë e cila edhe zyrtarisht “përshëndetet” nga “Euro2020” realizoi Kahveci.
Zvicra mbyll fazën e grupeve në vendin e tretë në Grupin A dhe tashmë varet nga skuadrat e tjera pasi katër vendet e treta kalojnë tutje në bazë të goldallimit më të mirë.
Italia në anën tjetër ka regjistruar fitoren e tretë nga po aq ndeshje të luajtura në këtë fazë.
“Azzurri” mposhtën Uellsin minimalisht 1-0 në “Olimpico”.
Golin e vetëm që solli pikët maksimale për Kombëtaren italiane e realizoi Pessina.
Kësisoj, Italia është në vendin e parë dhe ka siguruar kalimin tutje së bashku me Uellsin që përfundoi i dyti përkundër disfatës.