×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Zvarritja e formimit të institucioneve/ Sindikatat: Pagat nuk guxojnë të jenë peng i krizës politike

    FrontOnline
    19 Janar 2026

    Vendimi  për rinumërim të votave mund të ndikojë drejtpërdrejt në zvarritjen e mëtejme të procesit zgjedhor, duke shtyrë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

    Kjo situatë ka ngritur shqetësime për pasojat që mund të ketë mbi punëtorët e sektorit publik, në vonesat që ata mund të kenë në pagat e tyre.

     

    Kryesindikalistja e Shëndetësisë: Vonesa në formimin e Qeverisë krijon pasiguri për punëtorët shëndetësorë

    Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Tevide Imeri, ka paralajmëruar për Front Online se vonesat në formimin e Qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit krijojnë pasiguri për punëtorët e sektorit të shëndetësisë.

    “Si sindikatë, me shqetësim po e përcjellim situatën e krijuar pas vendimit për rinumërim të votave dhe vonesave në konstituimin e institucioneve. Kjo gjendje krijon pasiguri jo vetëm për punëtorët e sektorit publik, por në mënyrë të veçantë për sektorin e shëndetësisë, i cili nuk mund të funksionojë në kushte paqartësie institucionale dhe financiare”, tha ajo.

    Imeri ka thënë se në shëndetësi, përveç pagave, ka edhe çështje të ndjeshme që prekin drejtpërdrejt qytetarët, si furnizimi me barna, pagesat për shërbime esenciale e të tjera.

    “Në shëndetësi, përveç pagave, kemi një sërë specifikash të ndjeshme që prekin drejtpërdrejt qytetarin: furnizimi me barna dhe materiale mjekësore, pagesat për shërbimet esenciale, kontratat për stafin shëndetësor, kujdestaritë, orët shtesë, si dhe funksionimi i përgjithshëm i institucioneve shëndetësore”, tha Imeri.

     

    Imeri apelon për përgjegjësi: Pagat nuk guxojnë të jenë peng i proceseve politike

    Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Tevide Imeri, tha për Front Online se pagat nuk duhet të jenë peng i politikës dhe se sindikata do të vazhdojë dialogun me Qeverinë në detyrë për të garantuar stabilitet financiar dhe funksional në shëndetësi.

    “Sa i përket pagave, qëndrimi ynë është i qartë: ato nuk guxojnë të jenë peng i proceseve politike. Shteti ka vazhdimësi dhe obligimet bazike ndaj punëtorëve duhet të përmbushen pavarësisht situatës politike. Sindikata ka kërkuar dhe do të vazhdojë të kërkojë komunikim dhe koordinim me Qeverinë në detyrë dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim që të garantohet stabilitet financiar dhe funksional, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë”, tha ajo.

    Imeri tha se çdo kërcënim për pagat e marsit ose për funksionimin normal të shërbimeve shëndetësore duhet të trajtohet menjëherë.

    “Nëse do të ndodhte që pagat për muajin mars apo funksionimi normal i shërbimeve shëndetësore të vihej në rrezik, kjo do të përbënte një alarm serioz për shtetin dhe do të kërkonte reagim të menjëhershëm institucional dhe sindikal”, tha Imeri.

    Kryetarja shpreh shpresën se sistemi shëndetësor dhe shteti do të mbeten të qëndrueshëm, duke apeluar për vendime të shpejta dhe përgjegjësi politike në interes të qytetarëve dhe punëtorëve.

    “Megjithatë, ne besojmë dhe shpresojmë se nuk do të lejohet të vijë deri te një kolaps i sistemit shëndetësor apo i shtetit.  Apelojmë për përgjegjësi politike dhe vendime të shpejta në interes të qytetarëve, punëtorëve dhe shëndetit publik”, shtoi ajo.

    Në fund, Imeri tha se FSSHK do të vazhdojë ta monitorojë situatën nga afër dhe do të veprojë me përgjegjësi.

    “FSSHK do të vazhdojë ta monitorojë situatën nga afër dhe do të veprojë me përgjegjësi, gjithmonë në mbrojtje të shërbimit shëndetësor dhe të drejtave të punëtorëve”, tha ajo për Front Online.

     

    Kreu i SBASHK-ut : Pa Qeveri e Kuvend, punëtorët publikë rrezikojnë të mbesin pa paga-shumica kanë kredi

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në një prononcim për Front Online, ka thënë se mosformimi i Qeverisë dhe moskonstituimi i Kuvendit në fillim të këtij viti mund të sjellin pasoja të rënda për punëtorët e sektorit publik.

    Jasharaj ka thënë se takimet me Qeverinë në detyrë kanë munguar prej kohësh, duke ia atribuuar përgjegjësinë institucioneve.

     “Sa i përket takimeve, takimet me Qeverinë në detyrë ka kohë që janë ndalur. Ka pasur mungesë dhe faji është i tyre. Nuk kemi pasur takim as me ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci. Dialogu ka munguar’’, ka deklaruar ai për Front Online.

    Sipas Jasharajt, skenari më i keq do të ishte mos formimi i Qeverisë deri në muajin mars, pasi kjo do të rrezikonte drejtpërdrejt pagesat për punëtorët publikë.

     “E keqja më e madhe do të ndodhte nëse nuk do të bëhej Qeveria deri në mars. Do të ishte shumë keq nëse do të mbesnim pa paga’’, ka deklaruar ai.

    Kreu i SBASHK-ut ka thënë  se një situatë e tillë do të ishte goditje e rëndë, veçanërisht për mësimdhënësit, shumica e të cilëve kanë kredi bankare.

    ‘’Do të ishte goditje e madhe sepse shumica e mësimdhënësve kanë edhe kredi dhe kjo do u shkaktonte ende më shumë probleme dhe do t’i godiste shumë rëndë të gjithë punonjësit publikë’’,  tha Jasharaj.

     

    Përfaqësuesi i Sindikatës së Shërbyesve Civil: Pa institucione krijohet kaos dhe rrezikohen pagat

    Përfaqësuesi i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Ali Gashi, në një prononcim për FrontOnline ka deklaruar se sindikata që ai përfaqëson nuk ka pasur asnjë takim me Qeverinë në detyrë, duke theksuar se krijimi sa më i shpejtë i institucioneve është i domosdoshëm për të shmangur pasoja të rënda.

    “Nuk kemi pasur asnjë takim me Qeverinë në detyrë. Mendoj që logjika e shëndoshë e thotë që sa më shpejt të krijohen institucionet, në të kundërtën i bie që me vetëdije të plotë po krijohet kaos’’,  ka deklaruar Gashi.

    Gashi  ka paralajmëruar se pasojat kryesore të kësaj situate do t’i bartin qytetarët, në rast se vjen deri te vonesat apo ndërprerja e pagesave.

    “Pasojat kryesore i bartin qytetarët nëse mbesin pa paga’’,  ka thënë Gashi për Front Online.

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme03 Mars 2026
    Kreu AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se një numër i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë premtuar votën nëse ai do të kandidojë...
    Lajme03 Mars 2026
    Ramush Haradinaj, për herë të parë ka bërë publike letrat drejtuar Abdixhikut dhe Hamzës, me datë 21 janar të këtij viti, duke kërkuar...
    Lajme03 Mars 2026
    Përkunder takimeve të ditëve të fundit, partitë politike në vend nuk kanë arritur të pajtohen për një president konsensual. Analisti politik Albert...
    Të tjera
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, pas një seri sulmesh dhe kundër‑sulmesh midis Shteteve të Bashkuara...
    Sport03 Mars 2026
    Mërgim Vojvoda ka humbur një mundësi të artë të kalonte Comon në epërsi ndaj Interit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Mbrojtësi...
    Lajme03 Mars 2026
    Ramush Haradinaj, për herë të parë ka bërë publike letrat drejtuar Abdixhikut dhe Hamzës, me datë 21 janar të këtij viti, duke kërkuar...
    Lajme03 Mars 2026
    Deputetja e PDK-se Arbnora Salihu ka njoftuar se propozimi i saj për zgjerimin e fushëveprimtarisë së Komisionit për Kulturë, Turizëm dhe Sport,...
    Lajme03 Mars 2026
    Ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, aktualisht kryetar i Lëvizjes Socialiste në Serbi, ka kërcënuar me sulme kundër Kosovës, kryeministrit Albin Kurti dhe...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, të martën tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin tërë tregtinë me Spanjën pasi vendi evropian refuzoi...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.