Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se fëmijët të hënën do të shkojnë në shkollë dhe se nuk do të këtë pushim njëjavor ashtu siç është rekomanduar për ta ulur numrin në rritje të rasteve të infektimit me COVID-19.
Në Klan Kosova, ai ka shtuar se ky vendim vjen pasi nuk kanë mundur të bien dakord në Komitetin Nacional për Luftimin e Pandemisë.“Kryesorja është që fëmijët të hënën shkojnë në shkollë dhe mësimdhënësit shkojnë në punë”.
“Gjatë këtyre katër ditëve të fundit kemi pasur një diskutim intensiv me Qeverinë rreth asaj se si do të reagojmë ndaj një vlerësimi të gjendjes epidemiologjike në vend nga IKSHPK dhe si rezultat e asaj ka pasur edhe një kërkesë nga ana e IKSHPK-së që shkollat të pushojnë dy javë në mënyrë që të ulet trendi në rritje i infektimeve”.
“Ministria e Arsimit e ka shqyrtuar këtë kërkese dhe në fund kemi vendosur që të reagojmë me një pushim njëjavor, plus të shqyrtojmë gjendjen në fund të asaj jave dhe të shohim se si do të vazhdojmë tutje”.
“Sot patëm një mbledhje dhe ky propozim ka shkuar në Komitetin Nacional për Luftimin e Pandemisë. Në komitet u shqyrtua gjendja dhe u shqyrtuan edhe masat e mundshme në të gjithë sektorët, por nuk u mor asnjë vendim, për këtë arsye në javën e ardhshme nuk do të ketë pushim, por mësimi do të vazhdojë”.Rexhaj ka treguar se nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë është propozuar që të shkohet me një javë pushim.
“Mirëpo me atë kërkesë ne nuk kemi kërkuar që të shkohet me masa parciale vetëm në sektorin e arsimit sepse ato nuk do të kenë kuptim”.“Andaj kemi kërkuar që masat e marra të jenë pjesë e një pakoje të përgjithshme në të gjithë sektorët e jetës në Kosovë. Mirëpo në komitet nuk pati dakordim”.