Shefi i “Meta”, ose i njohur më mirë si shefi i “Facebook-ut”, Mark Zuckerberg ka vizituar Donald Trumpin në resortin e tij në Mar-a-Lago – ani pse presidenti i zgjedhur e kërcënoi atë me burg muaj më parë.
Në gusht, Trump shkroi në një libër se miliarderi i teknologjisë “do ta kalonte pjesën tjetër të jetës së tij në burg” nëse do të përpiqej të ndërhynte në zgjedhjet e vitit 2024 në ShBA, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Por Trumpi më pas e zbuti pozicionin e tij, duke i thënë një podcast në tetor se ishte “mirë” që Zuckerberg “qëndroi jashtë zgjedhjeve” dhe duke e falënderuar atë për një telefonatë personale pasi u përball me një atentat.
“Marku ishte mirënjohës për ftesën për t’u bashkuar me Presidentin Trump për darkë dhe mundësinë për t’u takuar me anëtarët e ekipit të tij në lidhje me administratën e ardhshme,” tha një zëdhënës i Meta për BBC.
“Është një kohë e rëndësishme për të ardhmen e Inovacionit Amerikan”, thuhet tutje në deklaratë.
Marrëdhëniet mes dy burrave nuk kanë qenë gjithmonë aq të përzemërta – por janë përmirësuar vazhdimisht.