Një zjarr ka vrarë katër pacientë në një spital të COVID-19 në kryeqytetin rumun, Bukuresht, të premten në mëngjes ndërkaq 102 të tjerë u evakuuan, shkruan Reuters.
Ky është zjarri i dytë vdekjeprurës në një spital të Bashkimit Evropian në më pak se tre muaj.
Zjarri shpërtheu rreth orës 03:00 në një nga ndërtesat e spitalit Matei Bals. Katër dhoma u dogjën dhe tani prokurorët po hetojnë shkakun.
Ndërtesa e spitalit ku shpërtheu zjarri u ndërtua në vitin 1953 dhe ishte rinovuar plotësisht, tha menaxheri i tij.
Matei Bals është një nga spitalet më të mëdha dhe më të përdorura për COVID-19 në vend.
Pacientët e evakuuar kishin infeksione të mesme dhe të rënda të COVID-19 dhe shumica po përdornin oksigjen, tha menaxheri i spitalit. Rreth 44 prej tyre janë dërguar në spitale të tjera COVID-19 anembanë Bukureshtit, dhe pacientët e mbetur u rivendosën në ndërtesa të tjera në Matei Bals.
“Askush nga pacientët (e evakuuar) nuk kanë djegie, nga informacioni që kemi aktualisht”, u tha gazetarëve, Zëvendës Ministri i Brendshëm i ngarkuar me situatat emergjente Raed Arafat.
Gati 7,700 pacientë me COVID-19 ishin në spitale në të gjithë Rumaninë që nga e Premtja, përfshirë 989 në njësitë e kujdesit intensiv. Vendi ka raportuar 721,513 raste me koronavirus dhe 18,105 vdekje.