Një ish-aktor fëmijë është në mesin e viktimave që kanë vdekur në zjarret shkatërruese të Los Anxhelosit.
Rory Callum Sykes, 32-vjeç, i cili pati një paraqitje në shfaqjen televizive britanike “Kiddy Kapers” gjatë viteve 1990, vdiq në shtëpinë e familjes së tij në Malibu, Kaliforni, më 8 janar, njoftoi nëna e tij Shelley Sykes në një postim në X, shkruan “People”, transmeton Klankosova.tv.
“Me pikëllim të madh më duhet të njoftoj vdekjen e djalit tim të bukur Rory Sykes nga zjarret në Malibu dje”, shkroi Shelley të enjten, 9 janar, duke shtuar se ajo është “plotësisht me zemër të thyer” për “djalin e saj të mrekullueshëm”.
Aktori me origjinë britanike, i cili ishte i verbër dhe kishte paralizë cerebrale, jetonte në Sydney, Australi, përpara se të zhvendosej së fundmi në ShBA, raportoi gazeta australiane “Nine News”.
Ai po qëndronte në një vilë në pronën e familjes së tij prej 17 hektarësh në Malibu kur iu dorëzua zjarreve, tha nëna e tij. “Nuk munda të shuaj zjarrin në çatinë e tij me zorrë sepse uji ishte fikur nga Kompania Komunale e ujit Las Virgenes. Edhe 50 zjarrfikësit trima nuk kishin ujë gjatë gjithë ditës”, ka shkruar Shelley.
Para vdekjes së tij të parakohshme, nëna e Roryt tregoi se ai “pati sfida të shumta me operacione dhe terapi për të rifituar shikimin dhe për të qenë në gjendje të mësonte të ecte” dhe ishte i etur të udhëtonte nëpër botë “megjithë dhimbjen”.
“Do të na mungojë jashtëzakonisht shumë”, përfundoi Shelley.
Sipas raporteve të shumta, vdekja e ish-aktorit fëmijë nuk është përfshirë zyrtarisht në numrin e vdekjeve nga zjarret në L.A.
Shelley me lot ndau me gazetën australiane “10 News First” se ajo “nuk mundi të ndalonte flakët që të pushtonin” dhe se vila e Roryt “u dogj deri në themel”.
Ajo kujton përpjekjen për të shpëtuar djalin e saj, por u ndalua për shkak të një dëmtimi që pati. “Ai tha: ‘Mami më lër mua’ dhe asnjë nënë nuk mund ta lërë fëmijën e saj. Kam një krah të thyer, nuk mund ta ngrija lart, nuk mund ta lëvizja”, tha Shelly për median.
Sipas “10 News First”, departamenti i zjarrfikësve i konfirmoi Shelleyt se djali i saj vdiq nga helmimi me monoksid karboni në zjarr.
Janë raportuar të paktën 11 vdekje të regjistruara të shkaktuara nga zjarret në L.A. që shpërthyen më 7 janar. /Klankosova.tv