×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Zhgënjim në mesin e demokratëve për ndryshimin e qëndrimit të Biden dhe faljen e djalit të tij, Hunter

    FrontOnline
    03 Dhjetor 2024

    Pas disfatave në zgjedhjet e nëntorit, disa demokratë ndjehen të zhgënjyer në lidhje me ndryshimin e qëndrimit të Presidentit Biden, i cili përdori kompetencat që i ofron detyra për të falur djalin e tij.

    Vendimi presidencial vjen pas goditjeve disavjeçare kundër Donald Trumpit nga Partia Demokrate, duke e akuzuar atë se përbënte kërcënim për demokracinë amerikane dhe për shpërfillje ndaj ligjit.

    Mbrëmjen e së dielës, zoti Biden përdori autoritetin presidencial për të falur të birin, duke shkelur mbi premtimet e mëparshme dhe duke e çliruar Hunter Bidenin nga çdo krim i mundshëm federal që mund të kishte kryer ai brenda një harku kohor 10-vjeçar.

    Presidenti 82-vjeçar tha përmes një deklarate se ndjekja penale e djalit të tij nën akuza për evazion fiskal dhe falsifikim të dokumentacionit federal për blerje arme, kishte motive politike.

    “Ai beson tek sistemi i drejtësisë, por gjithashtu beson se politika e infektoi procesin dhe çoi në dështim të drejtësisë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre në lidhje me vendimin e Presidentit Biden.

    Për muaj me radhë, zëdhënësja Jean-Pierre, Presidenti Biden dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë kishin ngulur këmbë se djali i presidentit, Hunter Biden, nuk do të falej.

    Arsyetimi i Shtëpisë së Bardhë nuk u prit mirë nga disa demokratë të zemëruar se vendimi i Presidentit Biden do ta bënte më të vështirë përballjen me presidentin e ri republikan.

    Republikani Donald Trump, i cili rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar për një mandat të dytë presidencial, ka argumentuar se aktakuzat e ngritura ndaj tij ishin rezultat i përdorjes për arsye politike të sistemit të drejtësisë nga Presidenti Biden dhe demokratët.

    “Ky është një precedent i keq që mund të abuzohet nga presidentët e ardhshëm dhe fatkeqësisht do ta dëmtojë reputacionin e tij”, shkroi në rrjetin X guvernatori i Kolorados Jared Polis. “Kur bëheni president, roli juaj është të jeni babai i kombit”, shprehej më tej guvernatori, duke iu referuar Presidentit Biden i cili e përdori rolin e prindit për të shpjeguar vendimin për faljen e djalit të tij.

    “Hunter ishte autor i problemeve të tij me ligjin dhe njerëzit mund të ketë simpati për vuajtjet e tij, por duke pranuar gjithashtu se askush nuk është mbi ligjin, as presidenti dhe as djali i presidentit.”

    Ligjvënësi demokrat i Arizonës, Gred Stanton, tha në rrjetin X se: “Kjo nuk ishte çështje e motivuar politikisht. Hunteri shkeli ligjin dhe u dënua nga një juri.”

    Shumë demokratë të tjerë e mbështesin vendimin e Presidentit Biden për faljen e djalit të tij.

    “Trump fali Roger Stone, Steve Bannon, Michael Flynn dhe Paul Manafort, si dhe babanë e dhëndrit të tij, Charles Kushner, të cilin ai sapo e emëroi ambasador në Francë”, shkroi në rrjetin X demokrati Jon Cooper, i njohur për mbledhje fondesh për fushatat demokrate.

    “Biden kishte të drejtë që e fali të birin, Hunter Biden, për ta mbrojtur nga politizimi i FBI-së nga Kash Patel”, shprehej më tej zoti Cooper. Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka emëruar të besuarin e tij, Kash Patel për të drejtuar Byronë Federale të Hetimeve e cila aktualisht drejtohet nga Christopher Wray.

    Zonja e Parë, Jill Biden tha të hënën nga Shtëpia e Bardhë se mbështeste vendimin për faljen e djalit të saj.

    Republikanët korrën një fitore në tre fronte në zgjedhjet e nëntorit, duke shënuar rikthimin e zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

    Falja presidenciale gjithëpërfshirëse për zotin Hunter Biden mbulon jo vetëm çështjet e hapura ndaj tij për falsifikim të dokumenteve për armëmbajtjen dhe mospagimin e taksave, por gjithashtu çdo vepër tjetër që ai ka kryer, mund të kryer ose marrë pjesë gjatë periudhës nga 14 janari i vitit 2014 deri më 1 dhjetor 2024. /VOA

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni11 Janar 2025
    Shtëpia e aktorit fitues të çmimit Oscar, Sir Anthony Hopkins, është në mesin e mijëra të tjerave të shkatërruara nga zjarri në...
    Bota/Rajoni11 Janar 2025
    Ka shkuar në 11 numri i të vdekurve nga zjarri që ka shpërthyer në Los Angeles të ShBA-së. Në një përditësim të...
    Bota/Rajoni10 Janar 2025
    Në Venezuelë, sot u mbajt inaugurimi i presidentit të ri/të vjetër Nicolas Maduro dhe në listën e të ftuarve ndërkombëtarë ishte edhe...
    Të tjera
    Artikull i Sponsoruar11 Janar 2025
    Prishtina Ticket ofron fluturime direkte tri herë në javë nga Nürnberg drejt Prishtinës, të hënën,të mërkurën dhe të shtunën, duke siguruar fleksibilitet...
    Lajme11 Janar 2025
    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka bërë të ditur se gjendja e rrugëve është e kalueshme pas reshjeve të mëdha...
    Lajme11 Janar 2025
    Qeveria e Kosovës mbrëmë e ka mbajtur mbledhjen e 244-të, e cila u zhvillua në formë elektronike. Në njoftimin e lëshuar për...
    Lajme11 Janar 2025
    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ekipet përgjegjëse janë angazhuar që rrugët të jenë të kalueshme pas reshjeve të borës. Ai...
    Lajme11 Janar 2025
    Sot, më 11 janar 2025, rreth orës 11:00, kanë filluar kërkimet për Arban Hisarin, 26 vjeç, nga Prizreni, i cili është raportuar...
    Vip11 Janar 2025
    Xuxi e ka komplimentuar Sarën për dukjen. “O Zogu im i vogël. Zogu më i mirë prej krejtve, Zaraaaa. Khu allah po...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.