×
  • Opinione
  • Opinione

    Zhbërja e fakteve në politikën perëndimore

    Blerim Shala
    17 Tetor 2024

    Shkruan Blerim Shala:

    A kanë faktet fare relevancë për epilogun e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, të cilat do të mbahen me 5 nëntor?

    Një pyetje e këtillë do të vlerësohej si e çuditshme, e gabuar, e pavend, madje edhe e marrë 12 vjet më parë, në zgjedhjet e vitit 2012-të në SHBA, e të mos flasim për atë periudhën e mëparme në politikën amerikane.

    Por, pas fitores tronditëse të Donald Trumpit në dyluftimin e tij me Hillary Clintonin në ballafaqimin e vitit 2016-të (e cila fitore madje e pati befasuar vet Trumpin), duket që kjo pyetje ka gjithnjë e më shumë peshë dhe rëndësi, në kuadër të dukurisë që tash e dhjetë vjet (së paku), cilësohet si politikë post-truth (e post të vërtetës).

    Politika dhe e vërteta, dora në zemër, nuk është që kanë qenë shumë të afërta, apo që kanë qenë fort tolerante njëra me tjetrën. Kjo dihet.

    Politikani, kudoqoftë ai, në akëcilën demokraci në të katër anët e Botës, më shumë manipulon me një të vërtetë që do të krijohet prej tij nëse ai merr besimin dhe mandatin për të udhëhequr me një vend, se sa me të vërtetën e mirëfilltë politike dhe shoqërore në këtë shtet.

    Megjithatë, në politikën klasike në demokraci (nëse mund të thuhet kështu), nuk ke mundur dot të sillesh si një politikan që hapur mohon të vërtetën, që publikisht propagandon gënjeshtrën, që mohon disa vlera dhe arritje tradicionale të cilat janë bartur brez pas brezi.

    Nuk ke mundur pra të mos merresh me faktet (e të gjitha llojeve dhe të gjitha fushave), sepse në të kundërtën faktet, përmes votave të qytetarëve që kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor, janë marrë me ty, dhe këtë e kanë komunikuar në trajtë të reziltateve (fakteve) zgjedhore.

    Por në këtë botën e politikës post-truth, dhe kjo dukuri po vërehet gjithandej në politikën perëndimore, ‘kandari’ që matë faktet është vënë krejtësisht jashtë përdorimit.

    Në të kundërtën, nuk do të kishte dyndje të vazhdueshme të Popullizmit, që fillet i ka në mesin e dekadës së kaluar, me sukseset më të mëdha në trajtë të Brexit-it në Britaninë e Madhe dhe me fitoren e Donald Trumpit në SHBA.

    Me çka atëherë politikanët ia mësynë t’i fitojnë zgjedhjet në Amerikë, në garën më të ngushtë dhe më të paqartë të mundshme në mes të Donald Trumpit (i cili për herë të tretë me rradhë po merr pjesë në betejën më të rëndësishme politike në Botë) dhe Kamala Harrisit?

    Cila është njësia matëse në këtë luftë të pakursyer politike?

    Gjithçka këtu varet nga bindjet e votuesve. E këto bindje, në masë të madhe, janë të liruara nga faktet.

    Në rrethanat e politikës së mëparme (dikush këtu pa gabuar mund të thotë të ish-politikës), bindjet e votuesve i janë nënshtruar fakteve, megjithëse, edhe atëherë, ka pasur rol të rëdësishëm figura e një politikani, aftësia e tij për ta përçuar mesazhin e tij, për të krijuar një përshtypje të mirë për veten dhe për qasjen e tij politike.

    Tani, në këtë politikën e sotme, faktet i nënshtrohen bindjeve, apo, thënë ndryshe, ato nuk arrijnë të kenë të thuash asnjë ndikim në bindjet që qytetarët kanë për kandidatët për postin e Presidentit të Amerikës.

    Kush ta zëmë merret me statistikën që Pandemia e COVID-it, ka mbytur mbi 1.2 milionë amerikanë, apo njëzet herë më shumë se në Luftën e Vietnamit, e cila pati rrëzuar për toke politikën në Amerikë.

    Në të gjitha luftërat në të cilat ka marrë pjesë Amerika (prej shekullit XIX, përfshirë këtu edhe Luftën Civile), ka pasur gjithsejt 620 mijë viktima.

    Po del që për tre vjet a më pak, COVID-i ka vrarë gati dyfishin e amerikanëve në krahasim me të gjitha luftërat.

    Ky është vetëm një fakt, i cili as që përmendet në fushatën për zgjedhjet e sivjetme presidenciale.

    Kush nuk merret me te.

    Gjithçka këtu, në këtë përballje të pakursyer politike peshohet dhe matet sipas figurës së pretendentit republikan dhe demokrat për të fituar zgjedhjet dhe për të udhëhequr Amerikën (dhe jo vetëm) nga Shtëpia e Bardhë.

    Kush çka ofron këtu, kush çka mund të bëjë tash e tutje si President i SHBA-së, kjo mbase nuk çon fort peshë.

    Nga Rubrika
    Opinione25 Dhjetor 2024
    Shkruan: Ben Andoni Nuk mund të mohohet se Partia Demokratike ka realizuar edhe protesta të mëdha, sa i përket pjesëmarrjes së publikut....
    Opinione24 Dhjetor 2024
    Nga Lutfi Dervishi I njëjti skenar: Opozita shpall ditën dhe orën e mosbindjes civile. Bllokohen për tre orë pesë nyje kryesore të...
    Opinione23 Dhjetor 2024
    Nga: Eduard Halimi Propozimi i djeshëm i Kryeministrit (njëkohësisht kryetarit të PS në pushtet), për të mbyllur  TikTok-un për një vit ka...
    Të tjera
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Idriz Vehapi kandidat për deputet në Kuvendin Kosovës nga radhët e PDK-së, ka njoftuar për takimin e radhës. Përmes një shkrimi në...
    Vip26 Dhjetor 2024
    Gili dhe Redoni, nënë e bir, që u futën në edicionin e katërt të “Big Brother Vip Albania” si një banor i...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Ky afat, i hapur në fund të gushtit, u shty deri më 26...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës....
    Vip26 Dhjetor 2024
    Drenusha nuk e ka lë Gjestin që të fle. Ajo i shkoi atij te shtrati me tigan në dorë, duke i kërcitur....
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi studentë bursistë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.