Los Angeles Lakers rikthehen te fitorja pas dy humbjeve radhazi ndaj Blazers dhe Clippers. Kalifornianët triumfuan 123-110 ndaj Phoenix Suns, edhe pse vazhdon të mungojë LeBron James. Skuadra e drejtuar nga Frank Vogel u udhëhoq në suksesin ndaj ekipit nga Arizona nga një Anthony Davies monstruoz, autor i 42 pikëve dhe 12 “rebound”. Ndërkohë që për Suns më i miri mbi parket rezultoi Cameron Payne, i ardhur nga pankina, me 24 pikë.
Në Lindje, Miami Heat triumfuan në përballjen direkte ndaj Boston Celtics për zonën play off me rezultatin 124-130. Në “TD Garden” shkëlqeu Jimmy Butler, që për pak e mbylli ndeshjen me “triple double”, duke shënuar 26 pikë, 8 asiste dhe 11 “rebound”, ndërsa për Bostonin veçohet paraqitja e Evan Fournier dhe Jayson Tatum respektivisht me 30 dhe 29 pikë.
Vjen fitorja e katërt radhazi e Dallas Mavericks, që këtë herë dominuan sfidën ndaj Cleveland Cavalier 97-124. As përjashtmi i të talentuarit slloven Luka Doncic në fillim të periodës së tretë për goditjen që i dha Collin Sexton në pjesët e poshtë të trupit gjatë dyluftimit për kontrollin e një topi, nuk e vuri në diskutim suksesin e skuadrës teksane. Shënuesi më i mirë rezultoi Tim Hardaway Jr. me 25 pikë.
Fitojnë në transfertë edhe New York Knicks, duke iu imponuar Los Angeles Clippers 100-106, rezultat që i blindon njujorkezët në zonën play off. Vendimtarë me kontributin e tyre Derrick Rose me 25 pikë dhe Reggie Bullock me 24, ndërsa të zotëve të shtëpisë nuk u mjaftuan 29 pikët e Kawhi Leonard.
Vjen humbja e tretë radhazi për Orlando Magic, që u dorëzuan pa kushte përballë Minnesota Timberwolves 96-128. Më të mirët mbi parket rezultuan D’Angelo Russell dhe Karl-Anthony Towns me nga 27 pikë.
Rezultatet
Boston-Miami 124-130
LA Clippers-New York 100-106
Charlotte-New Orleans 110-112
Cleveland-Dallas 97-124
Orlando-Minnesota 96-128
Detroit-Chicago 96-108
LA Lakers-Phoenix 123-110
Sacramento-Oklahoma 126-98./SS/