Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kandidatin e kësaj partie për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqin, sot do të mbajnë një konferencë për media.
Konferenca do të mbahet në sheshin “Ali Ajeti” në Podujevë, është bërë e ditur në një njoftim për media.
“Kandidati i Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti mbajnë konferencë për media. (Sheshi ‘’Ali Ajeti’’ pranë objektit të Komunës së Podujevës, ora 09:00)”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Partitë politike sot nisin edhe zyrtarisht fushatën pesëditore për të parin e Komunës së Podujevës.
Nexhmi Rudari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Naim Fetahu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë në garë që të marrin mandatin afatshkurtër deri në zgjedhjet e ardhshme komunale 2021.
Kohë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që fushata për zgjedhjet lokale në Podujevë të fillojë më 23 nëntor dhe të zgjasë deri më 27 nëntor.
Votimet për Podujevë mbahen pasi që kryetari i kësaj komune Agim Veliu u emërua në postin e ministrit të Brendshëm të Qeverisë së Kosovës. Ato ishin paraparë të mbahen më 15 mars, por për shkak të pandemisë me koronavirus ato u shtyn për 29 nëntor.