Mbi 174 mijë aplikues kanë aplikuar përmes emaili-t për zgjedhjet e 14 shkurtit. Kjo u bë e ditur nga kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, në mbledhjen që aktualisht po mbahet.
Ndërsa procesisimi i të dhënave të aplikuesve pritet që të përfundojë sot.
“Operacioni i hapjes së email-eve është përfunduar dhe tash jemi në fazën e procesimit të dhënave që konsiderojmë të përfundojë sot. Mbi 174 mijë aplikues që kanë aplikuar përmes e-mail deri më tani”, tha ai.
Ahmetaj thotë se do të bëjnë kontrolle të vazhdueshme gjatë këtij procesi.
“Këto të dhëna që i kemi janë preliminare, jo përfundimtare. Ne do të bëjmë kontrolle të vazhdueshme. Këto shifra nëpër secilin operacion nuk përfaqësojnë shifrën e njëjtë për shkak se janë preliminare.
Do t’i eliminojmë aplikimet e dyfishta apo trefishta pastaj do t’i kemi numrat real. Deri dje kemi punuar 24 orë në këtë shërbim. 10 mijë aplikacione nuk janë të refuzuara, posa të kompletohen, nëse arrijnë me i sjellë dokumentet ë kërkuara nga sekretariati, do ta bëjmë këtë përmirësim. Deri më tani nuk kemi asnjë aplikues që është refuzuar”, tha ai.
Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka bëri thirrje që qytetarët të mos dërgojnë më shumë se një herë emailin, pasi siç tha ajo, secili email do të hapet.