Pa maska e distancë/ Zemaj thotë se po respektohen maksimalisht masat në Kuvendin Zgjedhor të LDK’së
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po mban Kuvendin Zgjedhor për kryetarin e ri të partisë, raporton Gazeta Express.
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ende nuk ka votuar për kryetarin e ri të partisë.
Derisa infektologu Ilir Tolaj ka pasur kritika për mosrespektim të masave në mbledhjen e sotme, Zemaj ka thënë se masat janë duke u zbatuar maksimalisht.
“Distanca është e garantuar brenda nga sekretaria e LDK-së, delegatët po mbajnë maska dhe dezinfektues ka gjithkah të gjitha masat po respektohen maksimalisht”, u shpreh Zemaj për KlanKosova.
Zemaj ka thënë se pjesa procedurale ka përfunduar dhe delegatët janë duke votuar për liderin e ri.
“Është duke u mbajtur një atmosferë demokratike, pjesa procedurale ka përfunduar tashmë delegatët janë duke votuar”, ka shtuar ai.