Ministria e Shëndetësisë ka filluar të shqyrtojë masa të reja për parandalimin e përhapjes më të madhe të coronavirusit në Republikën e Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se mbyllja e kufijve dhe kufizimi i lëvizjes në zonat më të prekura me COVID-19 janë dy nga masat të cilat janë duke u shqyrtuar.
Por, megjithatë gjithçka varet nga vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend.
“Masat si mbyllja e kufijve, kthimi i personelit shëndetësor në pikat kufitare, kufizimet në numrin e pjesëmarrësve në takime të ndryshme, kufizime të lëvizjeve në zonat më të prekura dhe disa të tjera janë masat e radhës, në shqyrtim, varësisht nga vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend”, tha Zemaj.
Zemaj deklaroi se mbyllja e tërësishme e vendit mbetet opsioni i fundit.
“Shteti dhe qytetarët nuk e meritojnë të kthehemi aty ku ishim para 6 muajve, për arsye të neglizhencës së pakicës. Ajo çfarë pritet dhe patjetër duhet të ndodh është që organet e rendit dhe zbatuesit e ligjit të jenë rigorozë sa i përket implementimit të ligjit dhe vendimeve të Qeverisë përkitazi me menaxhimin e Pandemisë. Menjëherë do të ndërmarrim masa kufizuese në çdo situatë, ku konstatojmë raste të rritjes së rasteve, që duket se po ndodh”, tha ministri.
Ai u tha se paralelisht me masat e reja, do ta vazhdojë zbatimi i masave në fuqi.
“Policia e Kosovës, inspektoratet përgjegjëse por edhe vet komuniteti duhet t’i zbatojnë pa mëdyshje, për të mos lejuar që të përballemi më një situatë kritike e cila vendos në pozitë të vështirë sistemin shëndetësor dhe profesionistët, mbingarkon kapacitetet dhe krijon telashe edhe në aspektin ekonomik dhe social për shtetin dhe shoqërinë tonë”, tha Zemaj në një intervistë për Arbresh.info