Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka shkruar në Facebook pas vizitës që pati sot në Klinikën Infektive me kryeministrin Avdullah Hoti, raporton Gazeta Express.
Zemaj ka thënë se çdo pacient, në secilën klinikë do të trajtohet me profesionalizëm.
“Qeveria e Kosovës dhe të gjithë ne po angazhohemi maksimalisht që të jemi të gatshëm për çdo skenar, ta menaxhojmë situatën, të ketë mjaftueshëm shtretër për pacientët në nevojë, staf shëndetësor ku tashmë do të jenë edhe specializantët e rinj, si dhe furnizim me barna. Për shkak të rrethanave të krijuara dhe rritjes së rasteve me Covid-19, ditëve të fundit është imponuar të ndërmarrim disa masa të reja, përfshirë këtu edhe pezullimin e përkohshëm të punës në objektin e ambulancave specialistike në QKUK, ku në vijim do të ofrohen vetëm shërbime shëndetësore për rastet emergjente”, ka thënë ai.
Ministri ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të votojnë pro Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
“Në këtë kontekst edhe njëherë i ftojmë deputetët e Kuvendit të Kosovës që për interesin e qytetarëve ta votojnë “Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike”, në të cilin Qeveria ka paraparë edhe fondin rezervë për pandeminë.Ky ligj është shumë i nevojshëm për vendin dhe shëndetësinë tonë”, tha ai.