Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar shtim të kontrollove për ta luftuar COVID-19. Ai thotë se nëse rastet vazhdojnë që të rriten, domosdoshmërisht vendi do të hyjë në një fazë të re të masave .
Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media pas takimit me përfaqësuesit e Policisë se Kosovës, të Asociacionit të Komunave, Inspektoratit Qendror e Lokal dhe përfaqësues të tjerë për menaxhimin e pandemisë Covid-19.
“Jemi në përgatitje e sipërm për zbatueshmërinë e masave. U takuam me inspektoratin sanitar, me AKK-në dhe Policinë e Kosovës. Angazhimi do të jetë permanent, mirë i koordinuar dhe kemi plane të tjera. Do të ketë rritje të kontrolleve në shumë drejtime, jo vetëm në fokus të gastronomisë”, ka thënë Zemaj.
Ai ka paralajmëruar se do të shtohet edhe numri i policëve.
“Të shohim se a kemi nevojë për masa shtesë edhe për kufizimet. Situata nuk është duke shkuar në favorin tonë. Presim edhe kontingjentin e ri për 400 policë që do ta fillojnë punën. Insistimi ynë është parandalimi, në momentin kur kemi rritje të rasteve spitalore ne duhet të ndërmarrim masa”, ka thënë ai.