Kryeministri Avdullah Hoti, ka vizituar sot menaxhmentin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Me këtë rast ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka falënderuar punëtorët shëndetësorë për kontributin që kanë dhënë gjatë pandemisë COVID-19.
Ai tha se ngritja e kapaciteteve humane gjatë pandemisë ka qenë e nevojshme, andaj edhe duhet të vazhdojë.
“Edhe unë si ministër dhe Qeveria e kemi pasur prioritet mbrojtjen e punës tuaj, pavarësisht tendencave dhe implikimeve të faktorëve të jashtëm. Ju jeni shndërruar edhe në gardian, jo se gabuat diku po dikush donte që ju të gabonit. Ngritja e kapaciteteve humane ka qenë domosdoshmëri dhe duhet të vazhdojë”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tha se është bërë një punë e madhe në shëndetësinë e Kosovës gjatë pandemisë.
Ai u shpreh se Kosova do ta fitoj betejën me COVID-19.
“Është bërë një punë gjigante në shëndetësinë e Kosovës. Ballafaqimi me pandeminë është puna më e vështirë. Do të vazhdojmë ballëhapur deri në rastin e fundit. Asnjëri nga ne nuk do të dorëzohet dhe nuk do të ndjej lodhje”, shtoi ai.