Hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtës (IKD), Yll Zekaj, ka thënë se Gjykata Speciale e ka bërë një publikim selektiv të aktakuzës së ngritur ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se puna e Speciales në përgjithësi karakterizohet si jotransparente.
“Në përgjithësi puna e Gjykatës Speciales është një punë që është karakterizuar me jo transparencë dhe kjo gjë nuk lejohet edhe në ligjin e Dhomave të Specializuara”.
“Kështu kemi edhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe të të dyshuarve të tjerë, por kjo nuk bëhet publike”.
“Ne e patëm bërjen publike të aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit që ishte jashtë rregullave – me një arsyetim që më shumë ngjasonte me një arsyetim politik sesa juridik nga ana e prokurorit”.
“Ishte publikim selektiv i aktakuzës sepse në kuadër të kësaj aktakuze janë edhe dhjetëra të dyshuar të tjerë që akuzohen për 100 vrasje”.
“Tani kanë kaluar gjashtë muaj dhe kjo aktakuzë ishte dashur të bëhej publike – gjë që parashihet se brenda këtij afati duhet të merret një vendim”.
“Këtu tash ka dilema nëse një aktakuzë është konfirmuar plotësisht, pjesërisht apo është hedhur poshtë. Të gjitha këto versione mund të ekzistojnë; prandaj nuk duhet të spekulojmë sepse ligji për Dhomat e Specializuara nuk përcakton afat strikt për konfirmimin e aktakuzës”.