Qeveria e Kosovës për herë të gjashtë e ka dërguar për votim në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, pas situatës së krijuar nga pandemia e Coronavirusit, raporton Front Online.
Moskalimi i këtij Projektligji ka bërë që qytetarët e Kosovës të mos i marrin mjetet e premtuara nga Qeveria, tërheqjen e 10 % të Trustit dhe ka shkaktuar probleme të mëdha në sektorin privat.
Lidhur me këtë, kryetari i Odes Ekonomike Amerikane në Kosovës, Arian Zekaj, në një prononcim për portalin Front Online, tha se në rast se Projektligji nuk votohet nesër në Kuvend do të shkaktojë probleme të mëdha siç është zbatimi i masave të parapara me ligj.
“Dështimi i mundshëm i radhës për aprovimin e Projektligjit do të vonojnë zbatimin e masave të parapara me këtë ligj, siç është rritja e mbulesës së garantimin kreditor, por edhe trajtimi i gjobave të vendosura për mospagimin e detyrimeve tatimore gjatë periudhës së pandemisë”, u shpreh ai për Front Online.
Ai tha se mosgjetja e konsensusit nga partitë politike për votimin e këtij Projektligji po e rrit zhgënjimin e sektorit privat në institucionet e vendit.
“Mos gjetja e konsensusit dhe rrjedhimisht vonesa në aprovimin e projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike po e rrit zhgënjimin e sektorit privat në institucionet e vendit, duke pasur parasysh që masat e zbatuara deri më tani në kuadër të Pakos Emergjente Fiskale, nuk kanë adresuar në mënyrë të mirëfilltë pasojat e shkaktuara pas kufizimit të aktivitetit ekonomik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19”, ka thënë Zeka për Front Online.
Kryetari i OEAK-ut për Front Online tha se sektori privat dhe punëtorët e këtij sektori kanë nevojë për veprime të shpejta të institucioneve të vendit.
“Sektori privat dhe punonjësit e tyre kanë nevojë për veprim të shpejtë të institucioneve, prandaj vendimmarrësit institucionalë duhet ta kenë këtë parasysh duke u përpjekur me çdo kusht të arrijnë konsensusin e nevojshëm, përfshirë edhe plotësimin e Projektligjit me dispozita të tjera”, u shpreh ai./Front Online/