Njohësi i çështjeve politike në vend, Milaim Zeka thotë se Vjosa Osmani do të marrë edhe besimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për tu zgjedhur presidente.
“Vjosa Osmani ka me u zgjedh presidente, kjo është për shkak të ndërkombëtarëve, presionit nga ana e tyre. Kështu që LDK e voton presidenten, por që ka mundësi që do ta votojnë edhe disa anëtarë të PDK-së”, ka thënë Zeka.
“Asnjë parti politike nuk ja mban më me shku në zgjedhje, pavarëissht çka rrejn e çka thojnë, nuk janë të gatshëm. Nëse Albin Kurti e bind elektoratin se po shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme me fajin e opozites ai mund të fitojë edhe më shumë, kështu që nëse këta e bindin elektoratin se po shkojnë në zgjedhje me fajin e Albin Kurtit kryeministrit dhe Vjosa Osmanit atëherë në rregull”, ka theksuar ai.
Zeka thotë se qytetarët e kanë ndëshkuar klasën politike, andaj është shansa e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit për të udhëhequr për 4 vite vendin.
“A do të ishte mirë për demokracinë që një post ta kishte opozita, normal që do të ishte mirë. Situata është e atillë që qytetarët e kanë ndëshku klasën politike të kalume, dhe këta duhet me ja japë shansën Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit me udhëheqë 4 vite”, tha ai.
Sipas tij, me Osmanin presidente, do të jetë balancimi më i mirë në këtë qeveri.
“Jam optimist që 95% Vjosa Osmani do të jetë presidente dhe do të jetë balancimi më i mirë në qeveri, për arsyese Vjosa e njeh jashtëzakonisht mirë politikën ndërkombëtare. Albin Kurti është mirë me u marrë me punë të brendshme, me dezinfektimin e brendshëm të shoqërisë edhe Vjosa është mirë me pas rol numër një në politikën e jashtme edhe në dialog me Serbinë”, shtoi ai për Indeksonline.
Ndryshe, dje kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka quajtur të frytshëm takimin me Vjosa Osmanin.
Ai njëherit ka thënë se është i nevojshëm një takim brenda kryesisë së LDK-së, për të marrë një qëndrim lidhur me këtë çështje.