Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas deklaratës së gazetarit serb, Branislav Kërstiq, i cili në Kanal 10, tha se gruaja e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, është duke jetuar dhe punuar në Beograd.
“Gruaja e kryeministrit tonë është e punësuar në Beograd”, ka thënë Kërstiq mbrëmë.
Këtë deklaratë e ka quajtur të pavërtetë zëdhënësi i Qeverisë, i cili tha se bashkëshortja e Kurtit jeton midis Oslos dhe Prishtinës.
“Kjo nuk është e vërtetë. Ky është lajm i rremë. Bashkëshortja e Kryeministrit Kurti është e punësuar vetëm në NUPI (Insituti Norvegjez për Çështje Ndërkombëtare) dhe jeton midis Oslos dhe Prishtinës. Gjithashtu, nuk është anëtare në asnjë bord askund”, ka thënë Kryeziu.
Kërstiq mbrëmë është shprehur i bindur se gruaja e Kurtit është e punësuar në një kompani ndërkombëtare, e cila e monitoron dhe udhëheq prodhimin e elektricitetit në Serbi.
“Gruaja e z.Kurtit është duke punuar në Beograd. Është e angazhuar në një kompani ndërkombëtare e cila është duke monituru dhe udhëheq krejt prodhimin e elektricitetit në Serbi në shtetin e Serbisë”, ka thënë Kërstiq.