Lulzim Kraniqi, zëdhënës i KEDS-it, ka sqaruar situatën aktuale rreth furnizimit me energji elektrike në Kosovë, ku shumë qytete dhe zona po përballen me mbingarkesa dhe ndërprerje të energjisë. Ai ka theksuar se, për shkak të konsumit të jashtëzakonshëm të energjisë, që ka arritur mbi 1400 MË/h, po krijohen mbingarkesa në asetet elektroenergjetike të KEDS-it, duke shkaktuar djegie të pajisjeve në disa raste. Krasniqi ka theksuar se kjo situatë nuk nënkupton reduktime apo ndërprerje të energjisë elektrike, por tregon për një ngarkesë të madhe në rrjetin shpërndarës dhe të transmisionit, duke rritur rrezikun për sigurinë e furnizimit me energji.
‘’Për shkak të konsumit të lartë dhe rekord të energjisë elektrike, që po arrin mbi 1400më/h, po shkaktohen mbingarkesa në asetet elektroenergjitë të KEDS-it në disa vende në Kosovë, duke çuar në djegie të tyre në disa raste. Kjo nuk nënkupton reduktime ose ndalesa të energjisë elektrike, por tregon për ngarkesë të madhe në rrjetin elektrik shpërndarës dhe të transmisionit, duke sfiduar sigurinë e furnizimit me energji’’, tha Krasniqi për FrontOnline.
Sipas Krasniqit rajoni i Ferizajt është një nga rajonet më të prekura, ku furnizimi me energji është i kufizuar për shkak të këtyre mbingarkesave. Krasniqi gjithashtu përmendi se situata është e ngjashme edhe në Prizren dhe Pejë, megjithatë këto qytete po përballen me më pak sfida.
‘’Aktualisht, rajoni i Ferizajt po përballet me sfida për shkak të këtyre ngarkesave, ku furnizimi me energji elektrike është i kufizuar. Gjendje të ngjashme, por me më pak sfida, kemi edhe në Prizren dhe në Pejë’’, deklaroi Krasniqi.
Mbingarkesat sipas Krasniqit kanë prekur si transmisionin ashtu edhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, dhe është e nevojshme të tejkalohen këto ngarkesa për të garantuar stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe për të shmangur dëmtimet e pajisjeve kyçe. Sipas Krasniqit, Nënstacioni Kastrioti, që është në ndërtim nga KOSTT, pritet të përfundojë së shpejti dhe do të ndihmojë në zgjidhjen e këtyre sfidave në rajonin e Ferizajt.
‘’ Mbingarkesat janë shfaqur si në transmision ashtu edhe në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, ku po paraqitet nevoja për tejkalimin e ngarkesave për të garantuar stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe për të shmangur dëme të mëdha në pajisjet kyçe. Sipas informatave, Nënstacioni Kastrioti, i cili është në ndërtim nga ana e KOSTT-it, pritet të përfundojë së shpejti, çka besohet se do të ndihmojë në tejkalimin e kësaj sfide në këtë rajon’’, tha zëdhnësi për FrontOnline.
Krasniqi ka apeluar për mbështetje nga qytetarët, duke i ftuar ata të kursejnë energjinë elektrike dhe të shmangin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë gjatë orëve të pikut. Ai ka theksuar se, veçanërisht ata që përdorin energjinë për ngrohje, duhet ta shfrytëzojnë atë në mënyrë sa më racionale për të mundësuar një operim më të qëndrueshëm të rrjetit dhe një shërbim më efikas.
‘’ KEDS apelon për mbështetjen e konsumatorëve në këto momente dhe i fton të gjithë të kursejnë energjinë elektrike, duke shmangur përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë gjatë orëve të pikut. Sidomos ata që përdorin energjinë elektrike për ngrohje, këshillohen ta shfrytëzojnë atë në mënyrë sa më racionale, për të mundësuar një operim më të mirë të rrjetit dhe shërbim më efikas’’, përfundoi Krasniqi.