Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka konstatuar mashtrim me sasinë në dy lloje të djathit të prodhuara në Maqedoninë Veriore.
Mostrat ishin marrë në një biznes në Prishtinë, gjatë vizitës së ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, në pjesën e dytë të muajit të kaluar.
“Zyrtarë të MTI-së pas ekspertizës së produkteve kanë konstatuar se sasia e përshkuar në paketim nuk përkon me sasinë reale të produktit dhe në këtë mënyrë është mashtruar konsumatori. Ministri është interesuar për cilësinë e ushqimit në veçanti për produktet e qumështit pas ankesave që ka marrë nga shoqata të ndryshme të kësaj fushe”, thuhet në njoftimin e MTI-së.
Ministri Krasniqi ka thënë se mbështetja për biznese nuk do të mungojë, por nuk do të lejohet shkelja e të drejtave të konsumatorëve.
Ai ka thënë se fokusi kryesor do të jetë mbrojtja e prodhuesve vendorë dhe ajo e konsumatorit.