Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve në fillim të vitit 2025 do të paraqitet në turneun prestigjioz “Yellow Cup” që mbahet në Winterthur të Zvicrës.
Kombëtarja jonë i zhvillon tri ndeshje, ndërsa për kundërshtarë ka ekipe kombëtare që më vonë në janar paraqiten në Kampionatin Botëror.
Të premten, më 3 janar prej orës 20:30, Kosova luan ndaj Holandës, me të cilën barazuam në Prishtinë në kuadër të kualifikimeve.
Më 4 janar prej orës 19:00 luhet ndeshja Zvicër – Kosovë. Ndërkohë të dielën prej orës 14:30 është ndeshja Itali – Kosovë.
Është ky edicioni i 51-të i turneut “Yellow Cup”.
Selektori i Kosovës, Bujar Qerimi, të hënën ka shpallur listën e lojtarëve të ftuar. Kombëtares sonë i mungojnë dy lojtarë të rëndësishëm, Kastriot Jupa dhe Kushtrim Ninaj. Të dy janë të lënduar.
Në Kombëtare janë ftuar lojtarë tashmë të konfirmuar. Grumbullimi bëhet më 2 janar në Winterthur./RTK