Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të jetë arena ku do të zhvillohet ndeshja finale e barazhit për inkuadrim në Superligën e Kosovës.
Dukagjini i Klinës si nënkampion i grupit A të Ligës së Parë dhe Trepça ’89 do t’i masin forcat në pasditën e së premtes, shkruan FrontOnline.
Ndeshja në fjalë do të zhvillohet nesër nga ora 16:00, ku të dyja skuadrat e duan vetëm fitoren dhe inkuadrimin në elitë.
Sulmuesi i Trepçës ’89, Arbnor Muja është shprehur i gatshëm për përballjen me skuadrën klinase.
Në një prononcim për FrontOnline, ai beson plotësisht te fitorja.
“Është ndeshje e edicionit për ne, jemi përgatitur maksimalisht dhe besojmë në fitore”, ka thënë Arbnor Muja.
Ai thotë se në ndeshjet e barazhit nuk ka favorit, por shprehet i bindur për një fitore.
“Në ndeshjet e barazhit nuk ka favorit dhe dihet që janë me presion. Por, besoj që do ta tejkalojmë këtë sfidë”, shtoi ai./FrontOnline/