Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina ka në “gjirin” e saj futbollistë tejet të talentuar, e njëri prej tyre është edhe Albin Prapashtica.
19-vjeçari që iu bashkua klubit kryeqytetas nga 2 Korriku në verën e vitit të kaluar, ka lënë mbresa me paraqitjet e tij këtë edicion, shkruan FrontOnline.
Ndonëse ende nuk ka arritur ta zë një vend titullari te skuadra e Zekirija Ramadanit, sa herë që i është dhënë rasti, Prapashtica ka ditur të shkëlqejë në fushën e gjelbër.
Gjegjësisht, ai ka bërë 17 paraqitje në të gjitha garat këtë edicion, derisa ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar një asistim.
Kontrata e futbollistit të Kosovës U19 me Prishtinën është e vlefshme deri në verën e vitit 2023, megjithatë interesimet nga klubet e huaja për të veçse kanë filluar.
FrontOnline nga burime të sigurta mëson se për Prapashticën interesohen klube nga Gjermania, Zvicra dhe Sllovenia.
Megjithatë, futbollisti që luan në pozitën e sulmuesit, është i fokusuar te garat evropiane me skuadrën e Prishtinës.
Ndryshe, Prishtina si kampione do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, e ku Prapashtica shpreson se do t’i jepet rasti ta tregojë veten e tij./FrontOnline/