Në grumbullimin e Përfaqësueses së Kosovës U19 në Hajvali ndodhen edhe katër futbollistë nga skuadra e Dritës së Gjilanit.
Gjegjësisht, Yll Ibrahimi, Dienit Isufi, Shaban Shabani dhe Olt Ismajli janë futbollistët e Dritës U19 që i janë bashkuar skuadrës që drejtohet nga Ramiz Krasniqi, raporton FrontOnline.
Katër futbollistët që shkëlqyen nën urdhrat e Genc Sermaxhajt në Superligën e juniorëve synojnë të lënë mbresa edhe te përzgjedhësi Krasniqi.
Ylli i Dritës 19, Yll Ibrahimi i cili është i grumbulluar me “Dardanët” e rinjë në një bisedë me FrontOnline rrëfehet për përshtypjet e para në këtë aventurë.
Talenti nga Gjilani tregon se e ka pritur me emocion ftesën nga Kosova.
“Ftesën nga Kosova e kam pritur shumë mirë. Një emocion krejt ndryshe, përgatitjet po ecin shumë mirë, trajneri Ramiz Krasniqi me bashkëpunëtorët e tij po munohen ta komponojnë skuadrën pasi që është grumbullimi i parë pas 15 muajve shkaku i pandemisë. Mendoj se me punë do t’i arrijmë qëllimet tona”, ka deklaruar fillimisht Ibrahimi.
Ai synon që të jetë pjesë e Kosovës U19 edhe në grumbullimet e radhës.
“Synimi i përgatitjeve është të komponohemi sa më shumë me bashkëlojtarët. Besoj se jam i gatshëm për grumbullimin e radhës”, tregoi ai.
Ibrahimi që ende është vetëm 17-vjeçar, ka folur edhe për edicionin që lamë pas në Superligën e juniorëve, aty ku skuadra e tij e mbylli në vendin e tretë.
“Kemi përfunduar një kampionat të jashtëzakonshëm me ndeshje të bukura, me pak fat do të ishim në vend të parë, por ky është futbolli. Jam shumë i kënaqur me punën e trajnerit Genc, meritat janë gjithashtu të tijat se pa udhëzimet e tij nuk do të ishim aty në tabelë. Synimi ynë për edicionin e ri është titulli i kampionit”, tha të martën për FrontOnline Yll Ibrahimi.
Për katër futbollistët e tij të ftuar nga Kosova 19 ka folur edhe vetë trajneri i Dritës, Genc Sermaxhaj.
Në një bisedë me FrontOnline, ish-futbollisti i mirënjohur ka deklaruar se është i kënaqur me Ibrahimin, Isufin, Shabanin dhe Ismajlin.
“Ata janë ftuar te Kosova U19 dhe kjo falë paraqitjeve të tyre gjatë edicionit që lamë pas, ku përveç paraqitjeve dhe renditjes në tabelë, ata kanë startuar në të gjitha ndeshjet dhe kanë mbajtur barrën kryesore te skuadra jonë”, thotë Sermaxhaj.
Ai tregon se në ndeshjen miqësore 2:1 ndaj 2 Korrikut, golin e vetëm për Kosovën e shënoi Dienit Isufi i Dritës U19.
“Merita është padyshim edhe e pjesës tjetër të skuadrës që pa ndihmën e tyre dhe lojës kolektive arritën të shprehin edhe aftësitë individuale. Jam i kënaqur edhe me paraqitjen e lojtarëve të mi në ndeshjen miqësore mes Kosovës 19 dhe 2 Korrikut, në humbjen 2:1, dhe golin e vetëm e shënoi mesfushori ynë Dienit Isufi”, tregoi ai.
Për fund, Sermaxhaj shpreson se futbollistët në fjalë do të ftohen edhe në grumbullimet e radhës.
“Shaban Shabani erdhi në shprehje në disa situata me shpejtësinë e tij dhe Yll Ibrahimi me teknikën, vrapimin dhe pasimet që bënte për futbollistët tjerë të skuadrës. Edhe portieri bëri disa ndërhyrje të mira dhe për mua të katërtit u dëshmuan në atë ndeshje. Shpresoj që edhe trajnerit të Kosovës U19 t’i kenë pëlqyer lojtarët e mi dhe ndoshta ndonjë nga ta, ta përzgjedhë për vazhdim të grumbullimeve tjera dhe ndeshjeve që do t’i luajnë”, përfundoi për FrontOnline Genc Sermaxhaj./FrontOnline/