Një ndër futbollistët më cilësor që aktivohet në futbollin e Kosovës, Arbër Hoxha, do të ndërrojë mjedis këtë verë.
Mesfushori ofanziv i Ballkanit do ta vazhdojë karrierën në Kroaci te skuadra elitare, Lokomotiva Zagreb, shkruan FrontOnline.
Hoxha ka konfirmuar që shumë shpejt do t’i bashkohet Lokomotivës, skuadër e cila njihet si “çerdhe” e talenteve në Kroaci.
“Është e vërtetë se kam arritur një marrëveshje me klubin e Lokomotivës së Zagrebit. Marrëveshja është arritur, por kanë mbetur edhe pak detaje deri në kompletim”, ka deklaruar Hoxha në ATV.
Lokomotiva në kampionatin e fundit përfundoi në pozitën e tetë teksa në këtë skuadër janë aktivizuar edhe shqiptarët si Hajdin Salihu, Enis Cokaj, Sherif Kallaku, Françesko Tahiraj dhe Indrit Tuci.
22-vjeçarit me të përfunduar edicioni në Kosovë (të dielën) i ka skaduar edhe kontrata me Ballkanin, pjesë e së cilës është që nga viti 2019.
Hoxha në këtë kampionat i ka realizuar tetë gola me ekipin “portokalli”.
Futbollisti me prejardhje nga Istogu në karrierën e tij, krahas Ballkanit, ka luajtur edhe për Prishtinën, Besën e Pejës, Istogun dhe Hajvalinë.
Hoxha e ka regjistruar edhe një paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës të drejtuar nga Bernard Challandes, miqësoren me Suedinë e zhvilluar në janar të vitit 2020 në Katar.
Hoxha më parë ka qenë pjesë e Kosovës U21./FrontOnline/