AAK përmes një komunikate për medie i ka uruar suksese Xhafer Gashit, kryetarit të Obiliqit i cili dha dorëheqje nga të gjitha funksionet nga kjo parti.
AAK-ja përmes një komunikate për medie, ka falënderuar të gjithë qytetarët e Obiliqit duke numëruar disa nga të arriturat në këtë komunë sa ishte në qeverisjen e tyre.
Përmes të njëjtit njoftim AAK, i ka uruar sukses Xhafer Gashit në karrierën politike.
Reagimi i plotë:
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët e Obiliqit për përkrahjen e tyre të vazhdueshme në zgjedhje, si në ato lokale ashtu edhe në ato nacionale.
Aleanca marrë parasysh specifikat e komunës së Obiliqit dhe rëndësinë që paraqet për Republikën e Kosovës, i ka kushtuar një vëmendje shumë të madhe dhe ka përkrahur vazhdimisht këtë komunë.
Gjatë qeverisjes së liderit tonë Ramush Haradinaj, Obiliqin e kemi bërë me ligj të posaçëm, pasi që qytetarët e tij e meritonin një trajtim të veçantë. Ligji për Obiliqin hapi mundësi të shumta për realizimin e shumë projekteve shumë të rëndësishme për qytetarët.
Gjatë qeverisjes komunale të Aleancës në Obiliq, janë realizuar shumë projekte për të lehtësuar jetën e qytetarëve, nga të cilat veçojmë: Ura në fshatin Plemetin, Qendrën e Mjekësisë Familjare në Milloshevë, Ambulancën në Breznicë, Shtëpinë e të Moshuarve, shkolla në fshatërat Hade e Re, Lajthishtë dhe Raskovë, anekse shkollore në fshatërat Breznicë, Mazgit i Ulët dhe Mazgit i Epërm. salla sportive për Gjimnazin “17 Shkurti”, SHMLP “Ismail Dumoshi” dhe SHFMU “Hasan Prishtina”, Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”, hapësira të reja gjelbëruese si në Obiliq ashtu edhe nëpër fshatra , e shumë projekte të tjera.
Qeverisja e Aleancës në Obiliq, ofroi transparencë dhe shërbeu pa dallim për të gjithë qytetarët. Objekti i ri i komunës, zyrës së gjendjes civile dhe arkivit, u ndërtuan që ata të marrin shërbime sa më efikase komunale.
Me të drejtë thuhet se Obiliqi është qyteti i dritave, pasi që tani ka mbi 6000 poça ndriçues që ofrojnë siguri në qytet e fshatëra. Kamerat e sigurisë janë vendosur nëpër lagje të qytetit e po vazhdon shtrirja e tyre edhe nëpër fshatëra.
Në funksion të menaxhimit të gjendjes pandemike, objekti ndihmës i QKMF, u shndërrua në ambulantë anti-covid.