Vijojnë ndeshjet e fazës play off në NBA, ku vetëm Milwauekee Bucks kanë mundur të sigurojnë kualifikimin në gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes, pasi triumfuan në katër sfida radhazi ndaj Miami Heat.
Në përballjen mes Philadelphia 76ers dhe Washington Wizards skuadra e drejtuar nga Doc Rivers kishte mundësinë për ta mbyllur kualifikimin, por kryeqytetasit triumfuan 114-122 e tashmë rezultati i serisë shkon 3-1. Për t’u veçuar në radhët e Wizards paraqitja e Bradley Beal, autor i 27 pikëve, dhe Rui Hachimuras me 20 pikë dhe 13 “rebound”. Russel Westbrook ndërkohë dha kontributin e tij me “triple-double”: 19 pikë, 21 “rebound” dhe 14 asiste.
Për 76ers, që janë kokë serie në Lindje, është një disfatë që nuk ndikon shumë, pasi kanë edhe tri ndeshje në dispozicion për të siguruar kualifikimin. Gjithsesi, gjatë periodës së parë “ylli” i Philadelphia, Joel Embiid, pësoi një dëmtim që nuk e lejoi të kthehej në parket. Basketbollisti kamerunas, që është ndalur disa herë gjatë sezonit të rregullt, ka lënduar gjurin dhe duhet të bëhen ekzaminime të tjera për të kuptuar shkallën e dëmtimit.
Në përballjen e dytë, Utah Jazz triumfuan sërish në parketin e Memphis Grizzlies, duke thelluar epërsinë në 3-1. Skuadra nga Salt Lake City u imponua me rezultatin 120-113, falë lojës së Donovan Mitchell, autor i 30 pikëve dhe 8 asisteve. Për formacionin nga Tennessee, nuk mjaftuan 23 pikë e 12 asiste të Ja Morant./SS/