Me shqetësim të madh e ka pritur udhëtimin e ish-krerëve të UÇK-së për në Hagë, ish-ambasadori i OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker.
“Shqetësohem për Kosovën”, ka thënë Walker, teksa ka komentuar zhvillimet dramatike të ditës së sotme.
Ai ka theksuar se sot “është një ditë e trishtueshme për kosovarët”, ndërsa përgjigjen pozitive të ish-krerëve të UÇK-së për ftesat e Speciales i ka cilësuar si “gjëja më e mirë që mund të ketë ndodhur”.
Tutje, ai ka pasur kritika për Prokurorinë e Specializuar në Hagë. Walker ka përmendur se si vartësit e Sllobodan Millosheviqit që kishin kryer krime në Kosovë, tani kanë pozita të rëndësishme udhëheqëse në Serbi dhe nuk gjykohen.
“E kam thënë këtë më herët, nuk jam ndonjë tifoz i Prokurorisë Speciale. Tashmë kanë kaluar 5 vjet dhe tashmë kemi një numër aktakuzash… Kritika ime ndaj gjithë këtij procesi është që në thelb. Janë akuzuar shtatë apo tetë udhëheqës të UÇK-së ndërkaq që ka zyrtarë në pozita të rëndësishme në Serbi që kanë kryer krime dhe nuk kanë aktakuza… Për mua nuk është proces i baraspeshuar në kuptim të ndëshkimit dhe ndjekjes penale…. Është lajm i keq për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Walker në RTK.
Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi mbrëmë u dërgua për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara. Për në të njëjtin destianacion, me një avion ushtarak, sot u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-shefi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ish-drejtori i shërbimit informativ të UÇK-së, Kadri Veseli dhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi.