Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje u janë kundërpërgjigjur atyre të PDK-së, për deklaratat sa i përket mocionit për rrëzimin e Qeverisë Hoti të iniciuar nga VV, ku nga partia e Kadri Veselit kanë thënë se nënshkruajnë mocionin në një moment të caktuar.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvëndosje, Shpejtim Bulliqi, ka theksuar se skepticizmi i PDK-së për ta rrëzuar Qeverinë Hoti ka qenë prej fillimit, derisa shton se kjo parti edhe pse zyrtarisht s’ka qenë pjesë e koalicionit, sipas tij, ka kryer punën e një partneri qeverisës.“Ne kemi thënë disa herë që PDK-ja edhe pse zyrtarisht s’ka qenë pjesë e koalicionit, në fakt e ka kryer punën e një partneri të koaliconit. Në radhë të parë duke filluar nga rishikimi i buxhetit, ku të gjitha deficitet buxhetore i kanë ndarë bashkërisht në bashkëpunim me subjektet në Qeveri që janë pjesë e koalicionit”, ka thënë ai.
Bulliqi duke paralajmëruar se PDK-ja do t’i bashkohet Qeverisë, ka kritikuar edhe rolin e saj në opozitë, e cila siç ka thënë ai, ka qenë e heshtur.“Prandaj, s’është diçka e papritur, e po ashtu nuk është e diçka e paparitur që nesër PDK-ja të jetë pjesë e këtij koalicioni, për aryse edhe atëherë kur nuk kanë qenë në koalicon, këto dy subjekte, PDK dhe LDK, kanë bashkëpunuar në dëm të Kosovës, ashtu sic po bashkëpunojnë edhe tani. Këta edhe në realitet s’kanë qenë në opozitë, pasi kanë qenë të heshtur”, ka thënë ai. Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se do t’ia japin votat VV-së për mocionin në një moment të caktuar.